E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shmang shpjegimet për mungesën në darkën me Obamën

Nga Tema

Kryeministri Berisha shmangu dje në konferencën e tij për shtyp injorimin që iu bë nga protokolli i SHBA dhe NATO lidhur me pjesëmarrjen e tij në darkën me presidentin Obama. I pyetur nga gazetarët në konferencën e tij për shtyp në Strasburg, kryeministri shmangu shpjegimin pse nuk ishte i ftuar në darkën e ngushtë me presidentin Obama dhe theksoi se ai kishte një ftesë për në koncertin e mbrëmjes, por detyrimet personale nuk e kishin lejuar të shkonte. Në të vërtetë, pyetja nuk iu bë për koncertin, por për darkën me presidentin Obama, ndërsa arsyetimi për koncertin ishte shumë jo-bindës, nëse do të kemi parasysh një lider të përgjegjshëm që shkon në Samit për nder të Shqipërisë dhe jo për arsye personale apo familjare.

I nervozuar nga komentet e shtypit dhe ndjeshmëria e lartë për këtë çështje, ai iu rikthye vetë kësaj çështjeje sërish në fund të konferencës për shtyp, ku deshi të tregonte se vendet moderne perëndimore e kanë fuqinë te kryeministri. Kështu i quajti pakicë vendet që kishin president në Samit, dhe i quajti ato përjashtim. Kështu citoi Berluskonin, Merkelin dhe Sarkozinë si kryeministra. Në të vërtetë, Sarkozi është president me fuqi kryeministri, kurse Merkel kancelari me pushtet presidencial dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë që ndodhi me Berishën.

Krahasimi i vështirë i tij ishte përse pala kroate ishte e përfaqësuar nga presidenti dhe kryeministri dhe përgjigjja e Berishës ishte se pala kroate flinte afër vendit ku hahej darkë. A thua kryeministrin tonë e ka penguar distanca për të shkuar në darkë me presidentin Obama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›