E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përgjigje për grupin e pakënaqur të bregdetasve

Nga Dr. Gëzim Boçari*

Në rubrikën “Letra” në gazetën “TemA”, në faqen 12 të datës 3 prill 2009, lexova shkrimin me titull “Trashëgimtarët bastardë të pronarëve të vjetër” dërguar prej një grupi trashëgimtarësh të brezit të dytë të pronarëve të Bregut. Në bindjen time shumë nga vlerësimet që trajtohen në nëntitujt “Realiteti”, “Reagimi i pronarëve”, “Partia Republikane” “Perspektiva”, Institucionet Ndërkombëtare”, dhe “Prologu” janë po ato që ka thënë me dhjetëra herë shoqata dhe kjo nuk ka asgjë të keqe veç sensibilizimit nëpërmjet medias. Në këtë replikë po ndalem vetëm në ato pjesë, që në bindjen time janë joreale dhe dëmtojnë problemin e kthimit të pronës në origjinën e saj. Nuk jam dakord me kritikën deri fyerjen e shprehur ndaj kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe kryetarit të saj Rrapo Danushi dhe kryesisë së shoqatës “Bregdeti” dhe kryetarit Vangjel Llazari apo indirekt dhe kryetarit aktual Niko Nesturi. Do të duhej një libër për të përmbledhur gjithë sa janë shkruar në artikuj gazetash, në peticione e memorandume drejtuar institucioneve drejtuese të vendit dhe përfaqësive të institucioneve ndërkombëtare, dhe nuk mundem të bëj bilancin e punës së kryesive të këtyre shoqatave që personalisht pretendoj se i njoh shumë mirë. Kritikat tuaja për heshtjen e ndërkombëtarëve përfshi dhe Bankën Botërore janë fare të lehta në krahasim me ato që kanë bërë këta kryetarë dhe këto kryesi, prandaj, ju këshilloj të vini në mbledhje dhe t’u kërkoni ndjesë për ngutjen tuaj. Sa për kritikat ndaj politikanëve përsëri janë shumë pak në krahasim me kritikat e argumentuara të Rrapo Danushit, të Vangjel Llazarit Niko Nesturit dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë. Do të jepnit kontribut, nëse do të verifikonit dyshimet që shprehni për ndërkombëtarët në kolonën e tretë të faqes 13. Unë kam marrë pjesë në shumë nga mbledhjet e kryesive të të dy shoqatave dhe në mbledhjen e ardhshme do jem patjetër, se dua të dëgjoni nga ata që e kanë kujtesën më të mirë se unë dhe t’ju tregojnë se kryetari Rrapo Danushi është arrestuar dy herë nga policia, një herë në kohën e grevës së urisë dhe një herë tjetër më vonë. Po ashtu, edhe kryetari Vangjel Llazari është ndaluar dhe mbajtur në polici, por asnjë presion psikologjik nuk i përkuli sado pak burrërinë e tyre. Ju kujtoj se në këtë grevë urie që u shpërnda me dhunë nga policia nuk pati asnjë pjesëmarrës nga ju trashëgimtarët e brezit të dytë, madje edhe në mbledhjet e kryesive që përgjithësisht janë të hapura asnjë i ri deri sot nuk ka shprehur dëshirën për të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtimit të shoqatës. Kryetarët që ju i paraqisni kokëposhtë, nuk kanë marrë asnjë pagesë për punën e tyre shumëvjeçare, kurse një trashëgimtar i brezit të dytë (emrin e të cilit kryesia e “Bregdetit” e njeh, por unë nuk po e bëj publik), djalë i ri që u pranua në kryesi dhe iu ofruan të gjitha mundësitë për të punuar, a e dini ç’bëri ? Kur iu kërkua të përkthente nga shqip në anglisht një Notë drejtuar KE dhe Departamentit amerikan të Shtetit për shkeljen e titujve të pronësisë nga shteti shqiptar, ai na kërkoi që të paguhej për përkthimin. Në kolonën e fundit ju gaboni, kur na kujtoni: “Mos harroni se shumë nga gjyshërit tanë i kanë patur gishtat e duarve të prera nga dinamiti që përdornin gjatë viteve të diktaturës dhe të cilin mezi e gjenin. Sot, dinamiti është sheshit.” Po zotërinj, nga kjo anë kjo është e vërtetë, por asnjë nga kryetarët dhe nga kryesitë e shoqatave nuk ka qenë dhe nuk është për dinamitin. Mos ardhtë ajo ditë që ju propozoni, se ajo që ndodhi në 1997, do të duket si gjysmë shaka! Personalisht nuk do preferoja një kryetar apo kryesi që na fton e na nxit në luftë civile. Më shqetësoi fakti se në shkrimin tuaj ju shfryni pa të drejtë, injoroni punën dhe sakrificat e mëdha e deri vetëmohuese të Rrapo Danushit dhe Vangjel Llazarit, persona që meritojnë respekt dhe mirënjohje në radhë të parë nga ju të rinjtë që sikur doni pronën t’ua sjellë në shtëpi kryetari. Këta kryetarë meritojnë dhe do të marrin vlerësim dhe nga historia e vërtetë e periudhës së tranzicionit të shëmtuar që po kalon Bregdeti turistik nga Vlora në Sarandë. Si mendoni ju, që shkruat këtë letër, kujt i intereson që punën e madhe dhe të lavdëruar të këtyre dy kryetarëve ta kthejmë me kokë poshtë dhe punën e madhe të shoqatave ta nxijmë? Shpresoj se do të kini mirësinë të lini një orar takimi në zyrën e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” ose të merrni takim me z. Niko Nesturi, që të mund të organizohet një takim i përbashkët i kryesive veçmas apo më mirë të dy kryesive së bashku për të sqaruar shqetësimet tuaja dhe faktin se ne përpiqemi për demokracinë nëpërmjet ligjit.

* I shpronësuar prej diktaturës që lufton për zbatimin e të drejtës së pronës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›