Në NATO, duke pritur lirinë e votës
“Sot, ne kemi vendosur të ftojmë Shqipërinë dhe Kroacinë që të nisin bisedimet e anëtarësimit për t’u bashkuar me Aleancë. Ne i përgëzojmë këto vende për këtë arritje historike, të fituar pas viteve të shumta pune dhe angazhimit të demonstruar ndaj vlerave të përbashkëta të sigurisë dhe të NATO-s. Anëtarësimi i këtyre vendeve do të forcojë sigurinë për të gjithë në zonën euroatlantike dhe na sjell ne më afër qëllimit tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe.”
Kështu u shprehën saktësisht një vit më parë vendet anëtare të NATO-s në deklaratën përfundimtare të Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në traktatin e rëndësishëm ushtarak.
Sot është dita kur Shqipëria merr kartën e anëtarit dhe do ketë vendin e saj në tryezën e rrumbullakët përkrah vendeve të aleancës perëndimore.
***
Vendi gdhihet sot i veshur me dekorin e simboleve të NATO-s. Qeveria është kujdesur që të marrë kreditet për ngjarjen e rëndësishme, ndërsa opozita duke përdorur emrin e Bashkisë së Tiranës do të organizojë festimet e saj veçmas.
Eli V., një gjimnaziste e “Petro Nini Luarasit”, ka kohë që e dëgjon emrin NATO, por kurrë nuk do e kishte besuar që një ditë NATO do i shërbente për diçka. Mësuesja e saj kujdestare iu ka kumtuar në emër të drejtorisë se duhet të dalin të gjithë patjetër të dielën në shesh, ditën kur qeveria ka vendosur të festojë bashkë me disa grupe këngëtarësh, emrat e të cilëve i has shpesh nëpër mitingje elektorale.
Gjimnazistja është ndër të paktat që këtë kumt e ka marrë me rebelizëm, pasi nuk do që dikush t’i diktojë aktivitetet ku shkon, por nuk ka çfarë bën. Ditën e diel do ketë apel dhe për gjithë ata që mungojnë, penalizimi është i rrallë: do pyeten intensivisht në mësim ditët e javës në vijim. Kështu, gjimnazistët vrasin dy zogj me një gur, edhe festojnë, edhe nuk pyeten në mësime. Edhe për ata që refuzojnë, gjasat nuk duken të këqija. Ata do mësojnë më shumë.
***
Por pavarësisht se njerëzit e qeverisë po kujdesen që sheshi të jetë i mbushur dhe qytetarët të shijojnë “Red, red wine” të UB 40, ka shumë nga ata që realisht janë të gëzuar për këtë fitore ndërkombëtare të Shqipërisë.
Jo më kot shumica dërrmuese e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në NATO. Për shumë prej tyre ky anëtarësim është sinjal për një jetë më të mirë.
Një sondazh i Gallup International i bërë para disa kohësh dhe që shërben si një database të dhënash për Bashkimin Evropian nxirrte në pah se shqiptarët nuk besojnë tek institucionet e tyre, nuk besojnë as tek institucionet fetare, ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha vendet e rajonit, por besojnë te NATO dhe te BE. Ndërsa për kosovarët besimi te NATO është i vetëkuptueshëm për shkak të situatës së sigurisë atje, në Shqipëri ky besim duket se ka tjetër kuptim.
Drejtimi politik i ka lodhur ata dhe shpresat janë te një klasë që gjithmonë e më shumë merr direktivat nga një organizatë e fuqishme që mbron të drejtat dhe liritë.
E s’ka si të jetë ndryshe, kur sondazhi pohon se mbi një e treta e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, edhe pse tashmë rreth gjysma e shqiptarëve ndodhen jashtë. Për ne NATO do të thotë siguri. Mbi të gjitha për të lëvizur.
***
Delegacioni shqiptar për në samit do jetë i fryrë. Tre drejtuesit kryesorë të shtetit do jenë në delegacion, ndërsa kryetarja e Kuvendit duket se ka thyer protokollin. Ajo çka është e rëndësishme, është që në tryezë do të ulen presidenti dhe kryeministri, ndërsa të tjerët do përpiqen të sajohen për të dalë pak në kamera, për të treguar që ishin aty e për të fituar e ndonjë pikë personale.
***
Kroatët duken të ftohtë përballë kësaj atmosfere festive në Tiranë. Disa analistë thonë se Tirana meriton një festë të tillë për shkak të së kaluarës tiranike e ndoshta dhe për shkak të tranzicionit të stërzgjatur. Por ajo çka është e rëndësishme, është që kroatët përgjithësisht e shohin anëtarësimin në NATO si një dhuratë e jo si një fitore të reformave të tyre.
Por për politikanët shqiptarë një gjë e tillë nuk bën dhe aq shumë përshtypje. Ata dhe e pranojnë që integrimi për ta është një donacion, madje dhe preferojnë ta lidhin atë me emra të veçantë. Kryeministri, Sali Berisha, duke iu përgjigjur një gazete gjermane, se, nëse ishte kontributi i ish-presidentit amerikan, George Bush, ai që solli anëtarësimin në NATO, do përgjigjej se pa përkrahjen e tij vendi nuk do ishte në NATO.
Ajo që është e rëndësishme është që politikanët pak kanë preferuar të hyjnë në terma konkretë për të folur për çka është realizuar dhe çka mbetur pa bërë. Shembulli më perfekt është përpjekja e Shqipërisë për të liberalizuar vizat me BE. Edhe pse ka një plan të detajuar masash se ç’duhet bërë për të arritur deri aty, asnjë zyrtar nuk ka marrë ndonjëherë mundimin të thotë konkretisht çka është bërë. Madje, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, shpesh deklaronte se liberalizimi do të bëhej brenda mandatit të presidentit të KE, Manuel Barroso, pasi ai e kishte premtuar këtë?!
Edhe me këto manovra njohjesh, favorizimesh dhe koncesionesh, shqiptarët e duan integrimin, të vijë si të dojë.
***
Gjeopolitika është motori që shtyn përpara mekanizmat e vështirë që nuk lubrifikohen kollaj, sado mundim të hedhin vende të vogla si vendi ynë.
Pas marrjes së ftesës për në NATO, qeveria shqiptare u vendos nën sulmin e diplomatëve të huaj në Shqipëri, se po tentonte të vendoste kontroll mbi institucionet e pavarura. Situata po komplikohej. Por lajmi i mirë do vinte nga Rusia. Gjysmë ore përpara se nisnin të famshmet Lojëra Olimpike në Kinë, tanket ruse mësynë Gjeorgjinë. Lajmi ishte i keq, por i mirë për shqiptarët. Anëtarësimi në NATO ishte futur në binarë sërish.
Senati amerikan nxitoi të miratonte në mënyrë unanime protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. “Dita e djeshme shënoi një çast historik në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri: Senati i SHBA votoi miratimin për Protokollet e Hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë të Traktatit të Uashingtonit. Si një prej vendeve të para që votuan për këtë dokument të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi të mirëpresin Shqipërinë si një partnere të plotë në NATO.
Ky akt i Senatit ka domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson, jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm”, - deklaruan diplomatët amerikanë.
Por vetëm disa ditë më parë, një seancë e Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë për procesin e nënshkrimit të protokolleve të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë vuri në pah disa nga problemet kryesore, me të cilat përballet Shqipëria.
Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Fried, në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë tërhoqi vëmendjen për problemet që ende mbeten të pazgjidhura. “Shqipëria ka ende punë për të bërë në fushat e reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, por ka ecur përpara në të gjitha këto fusha dhe në drejtim të përparimit demokratik në përgjithësi”.
Senatori demokrat, Kris Dodd, që drejtonte seancën, e pranoi se vendi ka shënuar përparim, por shtoi se detyra e anëtarëve të Kongresit është që të bëjnë pyetje të vështira para se të merret një angazhim për mbrojtje reciproke. “A ka pasur zgjedhje demokratike? Cili është niveli i respektit të të drejtave të individëve? A është vendosur me sukses shteti ligjor? A është shprehur angazhimi për reforma ekonomike dhe ekonominë e tregut?”
Një nga pyetjet e tij për Shqipërinë kishte të bënte me shpërthimin e Gërdecit dhe problemet që dolën në pah prej tij. Senatori Dodd theksoi se mbarëvajtja e hetimit dhe mundësia që do t’i krijohet Prokurorisë së Përgjithshme për një hetim të hollësishëm dhe transparent, është një provë për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë. Ai shtroi pyetjen se cili është statusi i hetimeve dhe çfarë tregon për aftësinë e qeverisë shqiptare për anëtarësim në NATO. Zoti Fried u përgjigj: “I kemi kërkuar qeverisë shqiptare, që ta lejojë hetimin të zhvillohet, çfarëdo që të dalë prej tij. Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak shtrohet problemi i përgjegjësisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato”.
E megjithëse pikëpyetjet ishin të shumta, rruga u hap. Të gjitha vendet nisën ratifikimet e shpejta, dhe një pengesë që mund të hapej nga Sllovenia u fashit menjëherë.
***
Dashuria për ndërkombëtarët nuk duket se është kaq vaj. Ndërsa përpjekjet për të hyrë në NATO vazhdonin me intensitet, qeveria punonte vazhdimisht që të largonte të tjerë organizma të rëndësishëm për jetën e vendit. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë ishin nën presionin e largimit, edhe pse një vit elektoral tepër i vështirë ishte në prag.
***
Por, nëse shpesh thuhet se Aleanca nuk është vetëm ushtarake, por kërkon dhe zbatimin e kritereve politike, për Shqipërinë po bëhet një sy qorr.
Vendi nuk ka arritur akoma që të bëjë një palë zgjedhje të rregullta, duke mos plotësuar kështu kushtin themelor të demokracisë, zgjedhjen e klasës drejtuese.
Kur refren i ditës janë bërë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe problemi është fokusuar te pajisja me karta identiteti, shumë pak flitet për atmosferën parazgjedhore, e cila nuk duket ndryshe nga gjithë fushatat e tjera. Qeveria ka nisur prej kohësh një fushatë milionëshe reklamash, financat e fushatës janë akoma të dyshimta, ndërsa shumë pará janë akumuluar në duart e njerëzve pranë qeverisë, duke rrezikuar që të jenë paratë e fushatës. Vlera e votës vazhdon të jetë tepër e ulët, ndërsa treguesit makroekonomikë lëkunden si gjithmonë në situata të tilla. Përurimet për nisje, vazhdim a mbarim punimesh janë moda e shëmtuar e fushatave, ndërsa kalamaj shkollash vazhdojnë të shoqërojnë mitingjet elektorale, shpesh dhe me detyrim.
Por Shqipëria hyn në NATO duke pasur probleme dhe me të tjera të drejta, sidomos me të drejtën e pronës.
***
Në një rajon ku problemet ndëretnike duken ende të ndezura, por krejt, krejt ndryshe nga më parë, problem për NATO-n vazhdon të jetë krimi i organizuar, që rrezikon ta mbajë peng gadishullin.
Por, në krahët e qeverisë flirton një sekser që lëviz krejt nëntokën e krimit në rajon. Boshnjaku Damir Fazlliç, njeriu që mendohet se ka gisht në vrasjen e kryeministrit properëndimor serb, Zoran Xhinxhiç, nuk la moment pa treguar që është njeriu më i afërt i kryeministrit tonë, Sali Berisha.
Se sa i rrezikshëm është Fazlliç për rajonin e tregon dhe monitorimi nga afër që atij i bën vetë NATO.
Organizata që merret me sigurinë në botën perëndimore ka skeduar që para pesë vitesh të dhënat që shpërndaheshin në lidhje me Damir Fazlliç dhe implikimin e tij në vrasjen e Zoran Xhinxhiç. Nën linkun zyrtar të NATO-s http://www.nato.int/sfor/media/2003/ms030321t.htm mund të gjesh të dhëna në lidhje me implikimin e tij.
“Sipas burimit të gazetës, Milorad Lukoviç “Legija”, arriti në Sarajevë, më pas u largua nga Pale, ku kishte parë funeralin e Zoran Xhinxhiçit. Krimineli serb Legija dhe gjenerali kroat Gotovina e njohin njëri-tjetrin që nga mesi i viteve ‘80, kur ishin anëtarë të famëkeqit Legjion i Huaj. Të dy u rikthyen në ish-Jugosllavi thuajse në të njëjtën kohë në vitin 1991, për të qenë në dispozicion të popujve të tyre. Pas dështimit të planit të tij fillestar për të arritur në Sarajevë përmes aeroportit të Sarajevës, Lukoviç vendosi për një zgjidhje alternative, të kërkonte ndihmën e gangsterëve mafiozë nga Hercegovina, të cilët kryesoheshin nga miku i tij i vjetër, i kërkuar nga Haga dhe anëtar i Legjionit të Huaj, gjenerali Gotovina. Sipas qeverisë kroate, Gotovina fshihet në Hercegovinë prej një viti. Një biznesmen “i talentuar” dhe kryetar “potencial” për Federatën, Damir Fazlliç, u ndalua në hotelin “Acqua” nga policia federale për t’u pyetur për lidhjet e tij me Milorad Lukoviç “Legija”. Policia vërtetoi se ai kishte marrë telefonata në celular nga Lukoviç dhe shokët e tij. Fazlliç mohoi çdo lidhje me Lukoviçin dhe u lirua pas marrjes në pyetje. Megjithatë, sipas burimit të gazetës, pasi Fazlliç nuk mundi ta privatizonte industrinë e duhanit në Bosnjë, ai u prish me Stanko Subotiç “Cane” dhe i kërkoi Legijas ta mbronte nga Subotiçi, gjë që ai e pranoi me kënaqësi. Si arriti Legija ta bindte Subotiçin të mos e shqetësonte Fazlliçin, ende nuk dihet. Dyshohet se hoteli “Acqua”, ku Fazlliç vendosi të qëndronte, pasi u kthye nga Beogradi, ishte thjesht një maskim për larjen e parave nga trafiku i drogës”, - thuhet në skedim.
***
Një ogur i keq për këtë qeverisje ishte përzgjedhja si këshilltar për antikorrupsionin e një njeriu dhe shkollim dhe pasuri të dyshimtë. Antikorrupsioni u kthye shpesh në bumerang.
Por dhe për NATO-n njeriu i përzgjedhur për të bërë ndërmjetësin mes qeverisë dhe organizatës do të përfshihej shpejt në skandal duke zaptuar një burim të rëndësishëm uji për të ngritur një fabrikë.
***
Të gëzuar nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO janë kosovarët, shtetas të vendit më të ri në Evropë, që e shohin këtë lajm si shumë të rëndësishëm dhe për sigurinë e tyre.
Në fakt, Shqipëria do ketë tashmë një aleat të madh, një garanci për të thithur më shumë investime dhe për të ecur përpara në rrugën e integrimit dhe në klubin e pasur perëndimor.
Por ajo çka është e rëndësishme është që reformat të bëhen, pavarësisht nëse i kërkon NATO apo BE.
Ky ishte mesazhi i fortë që dha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, pak pas marrjes së ftesës.
“Aty ku mundet NATO të ndihmojë, do ta bëjë këtë. Por të mos harrojmë se reformat, dhe ato nuk janë relevante vetëm për Shqipërinë, nuk janë vendosur, sepse NATO e do këtë. Por reformat duhen bërë, kjo është nënvizuar fuqishëm nga ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, e ato duhen bërë për hir të kombit dhe shtetit, jo sepse NATO ose Sekretari i Përgjithshëm thonë se tani duhen reforma.”