Njerëzit e Mediut zaptojnë maternitetin e Beratit
Kandidati për deputet i Partisë Republikane, Astrit Veliaj, prej 10 ditësh ka zaptuar godinën e ish-maternitetit në Berat, ndërkohë që ajo është ende pronë publike. Godina është bllokuar nga njerëzit e kandidatit të PR, të cilët ndalojnë rreptësisht që brenda saj të hyjë njeri. Astrit Veliaj, i njëjti person që mësohet se është edhe pronar i universitetit “UFO” në Tiranë, është favorizuar nga Agjencia rajonale e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të marrë në dorëzim këtë godinë. Shkeljen e denoncuan dje mjekët e këtij materniteti dhe Partia Socialiste, sipas të cilëve materniteti është ende pronë publike dhe procedura e marrjes së kësaj godine në dorëzim dhe bllokimi i saj para kohe, është bërë me shkelje të rënda ligjore. Ata shprehen se godina e ish-maternitetit është marrë në dorëzim nga një grup njerëzish ende të paidentifikuar, të cilët po punojnë brenda ambienteve të saj me urdhër të pronarit Astrit Veliaj, në një kohë kur kjo godinë është ende pronë publike. Për këtë arsye, deputeti i Beratit, Erion Braçe, ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë çështjen, sipas tij korruptive, të qeverisë Berisha në këtë qytet. Braçe dhe nënkryetari i qarkut të Beratit kanë paraqitur dokumente shkresore, të cilat faktojnë se godina është dhënë në mënyrë tërësisht abuzive. Është e qartë se ky veprim i AKKP me direktiva të tjera më larta, është bërë për interesa thjesht personale dhe elektorale.
“Në rast se deri dje kishim dyshime se kush ishte përfituesi i gjithë kësaj dhe pse bëhej gjithë ky operacion për të tjetërsuar pasurinë publike në pasuri private, dje vetë deputetët e PR deklaruan hapur që përfituesi është Astrit Veliaj, njeriu i PR që është vendosur të kandidojë për deputet në qarkun e Beratit”, - tha Braçe. Përgjegjësit e tjetërsimit të kësaj prone publike dhe futjes së saj në privatizim të jashtëligjshëm, janë disa institucione, duke filluar nga Agjencia Vendore e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila ka njohur pronësinë mbi truallin e maternitetit, procedurat e të cilit janë me shkelje të rënda të ligjit, e deri te Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, si dhe disa drejtori në varësi të tyre. Partia Socialiste i ka kërkuar prokurorisë së rrethit që të fillojë hetimin penal ndaj Agjencisë rajonale dhe asaj qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për shkelje ligjore në procedurën e njohjes së pronësisë mbi truallin ku është ndërtuar ish-materniteti i Beratit dhe të hetojë njëkohësisht mbi procedurën e tjetërsimit të pronësisë së godinës shtetërore të maternitetit të vjetër të qytetit të Beratit. Sipas PS, të gjitha këto shkelje ligjore janë kryer me qëllimin e vetëm për ta kthyer këtë objekt në një biznes privat të një individi, që për fat të keq vjen, jo për t’u shërbyer qytetarëve të Beratit, por për t’u pasuruar e për të vjedhur Beratin. Sipas të dhënave nga terreni, bëhet e ditur se shërbimi i maternitetit është zhvendosur në ambientet me lagështi të katit të parë në spitalin rajonal, ku janë bashkë shërbimi obstetrik, gjinekologjik dhe shërbime të tjera.