E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri u heq shkollën tropojanëve, ua jep talebanëve

Nga Antena brenda familjes

Flamurit i doli gjumi herët në mëngjes. Thuajse s’kishte fjetur gjithë natën nga meraku se ç’bënte ai burri atje në Strasburg, kë kish takuar, si e kishin pritur, se nuk kish marrë në telefon fare gjithë ditën si zakonisht kur e merr për t’i njoftuar sukseset e tij me ndërkombëtarët.

- Nuk më pëlqen kjo heshtje e gjatë e tij, po s’kam si ta ndihmoj, tha me vete dhe zbriti te klubi poshtë shtëpisë për të pirë kafen e mëngjesit. Ceni, që nuk i ndahet në raste të tilla, e priste aty.

- E mer mixhë se s’të kam pyetur, ti je për hyrjen në NATO si ai burri apo je kundër NATO-s si ca nga këta të opozitës?

- Ça të them o Cen. Të tjerë përpiqen, të tjerë i hanë frytet. Kemi që më ’92-in që luftojmë për NATO-n. Tani që hymë, nuk e qasin atë burrin në darkë, po marrin Gaz Oketën në vend të tij.

- Jo mor çfarë ’92-shi thu ti, - tha Ceni. - Ai burri ka mendu për NATO që më ‘76. E ke digju intervistën e tij te Fevziu. Thotë që hyra në Partinë e Punës, kur dolëm nga Traktati i Varshavës, se deshën të na sulmonin. Për NATO-n mer ka hyrë, për NATO-n, po s’e thoshte dot atëherë ai.

- E di mo, e di, - tha Flamuri. - Po sot do bëjmë miting të madh. Dhe më iku kot mundimi. Kisha vendosur edhe dy ekrane të mëdhenj në shesh që të ndiqte populli Samitin. Kisha organizuar dhe ca fëmijë me fishekzjarrë që t’i shpërthenin.

- Po çfarë ndodhi mor burrë që nuk e priti?

- S’di ç’të them. Fola me të. Më tha: “Flamur, nuk ia vlen ajo darkë. Nuk ia vlen. Mjerim i madh! Presidenti i SHBA thyen protokollin dhe quan më të rëndësishëm presidentin se kryeministrin. Po ç’është presidenti mor, kush e zgjedh atë? Unë mor e zgjedh. Mua më zgjedh populli. Unë duhet të isha aty. Po s’ke ç’i bën. Kjo është bota. E thashë, nuk është shkelje protokolli. S’ka problem se thirrët Bamirin, u thashë, nuk e quaj shkelje protokolli. E pyeta dhe për kroatët, pse ishin bashkë. Janë hipokritë Flamur, - më tha. - Shkojnë si macja me miun bashkë dhe bashkohen për sy të botës. Unë s’e bëj atë. Jo, unë jam i sinqertë. Jo, dua të jem i hapur me ty, - më tha, - nuk e bëj atë. O unë, o ai. Zgjodhën atë, mirë bënë. Unë kam axhendën time, kam familjen time, s’kam punë me ta.”

- Ah, sa mirë ua paska bërë ore. Madje, as në një avion me të mos të vijë, - i tha Ceni.

- I thashë, mos eja në një avion. Eja me tren. Nga Strasburgu në Bari. Dalin emigrantët në çdo stacion dhe të presin. “Jo Flamur, - më tha, - duket si kthimi i Enver Hoxhës nga mbledhja e Moskës që erdhi me tren nga Bukureshti. Jo, nuk është mirë. Më mirë të vijmë nga Rinasi me makina, - tha, - bllokoni autostradën dy-tri orë para.” Do nervozohen njerëzit, do thonë ç’ka bërë vaki. Atëherë do ta japë televizori që po vjen ai burri nga Strasburgu. Dhe do dalin të gjithë në shesh.

- Vallahi mirë i paska shku mendja, - tha Ceni. - Po tjetër, çfarë tha tjetër? Ai Obama shumë i poshtër u tregua. Dhe aty kur i dorëzoi protokollin Bamirit, nuk e kthente kokën nga ai burri. Mezi i zgjati dorën në fund.

- S’di ç’të them. Ai nuk ishte i mërzitur. Tha që “Bamiri shkeli protokollin, por s’ka gjë, ne nuk i bëjmë probleme. Ne i respektojmë institucionet”, - më tha.

- Pash Zotin, po ç’kishte bërë dje në darkë, kur e lanë jashtë, d.m.th., që tha kam punë personale? Ku kishte shkuar? - pyeti Ceni.

- S’e di vallahi, - tha Flamuri. - Mua ma mbylli telefonin dhe nuk më mori fare. E kishte kërkuar dhe Jozefina me ata të tjerët, por s’ua hapte as telefonin, as derën e dhomës. Nuk i toleron ai raste të tilla. Po të dilte ai në publik, prishej mbrëmja, se atë e njohin të gjithë si të parin e vendit. ǒrëndësi ka, është president a kryeministër. Të dyja i ka pasë me kohë, ndaj nuk doli. U mbyll brenda dhe fiku telefonin. E bëri për të mirën e Shqipërisë. Nuk e poshtëron ai vendin për një protokoll.

- E di vallahi, i madh është, - tha Ceni. - Pash Zotin Flamur, se dëgjova që paskemi dhe detyrime për NATO-n.

- Kemi ca, - tha Flamuri. - Me këto zgjedhjet do na hapin telashe. “Do hapim gjashtë shkolla në Afganistan. I thuaj Fatos Bejës që ato shkollat që kishim planifikuar për t’i hapur në Breg Lumi, Paskuqan dhe Bathore, do iu anulohen fondet. Do t’i hapim në Afganistan, - më tha. - Jo, jam njeriu i fjalës së mbajtur unë, kam dhënë fjalën që do t’iu hap talebanëve 4 shkolla fillore dhe dy të mesme.”

- E meritojnë talebanët një shkollë. E nisëm për “çeçenët”, përfunduam te talebanët.

- Ishalla nuk i bën tenderët Genc Pollo thuaj, - tha Flamuri, - se do t’i zërë çatia nxënësit në Afganistan dhe hajde sqaro amerikanët pastaj. Do thonë na e bëtë kastile, se e keni zëvendëskryeministrin kaur.

- Po mor po, - tha Ceni. - Nga ai kuqoja çfarë s’pret. Po kjo Jozefina mor burrë që ka dy vjet që bredh lart e poshtë për në NATO, si s’e nxorën një foto aty me Obamën, por vetëm u tha që takoi Hillari Klintonin.

- Vallahi, - tha Flamuri, - mos u nxito për atë Hillarin, se njëherë na bëri lëmsh ajo zyra e saj. Të sigurohemi njëherë.

- Jo mor, se u takun te shkallët. Ishte dhe Vali Leskaj, e pashë. Madje asaj sikur i fliste më shumë, se ç’i ka dhënë një dekoratë njëherë.

- E pashë, e pashë mor, duhet pritë mos është film i vjetër. Le mos t’i shpërndajmë lajmet. Të presim sot, kur vijnë nga Rinas, të bllokojmë autostradën, pastaj të nisim festën në shesh. S’kemi ç’bëjmë tjetër më. Kaq kemi në dorë, kaq bëmë. Të tjerë punojnë, të tjerë gëzojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›