Berisha shmang skandalin

Ajo që ra në sy ishte sjellja e kryeministrit Sali Berisha. Ndryshe nga çdo rast i ngjashëm kur mund të jetë cënuar reputacioni i qeverisë, kryeministri Berisha heshti. Nuk bëri asnjë koment, madje as edhe një batutë, që zakonisht nuk mungojnë në mbledhjet e përjavshme të qeverisë.
Në gati 40 minuta fjalim para kamerave, gjysmën e kohës kryeministri foli për dyfishimin e mbjelljes së ullirit dhe përmendi thuajse të gjithë drutë frutorë.
Por ai nuk tha asnjë fjalë, nuk mbajti asnjë qendrim për çështjen ku janë fokusuar që të martën në mbrëmje sytë e të gjithëve.
“Shqipëria është vendi ideal për lajthitë. Ultësira është vendi ideal për shegën…. plantacioni i arrave në luginën e Shkumbinit… Ne mund të arrijmë të bëhemi një prodhues shumë i rëndësishëm i gështenjave të cilat kanë një përdorim shumë të gjerë në industrinë e çokollatave… Midis të gjitha yndyrnave, bimore dhe shtazore, ulliri është padyshim më i miri dhe më i shëndetshmi”, tha Berisha.
I vetmi moment kur kryeministri Berisha foli për aleatin e tij kryesor në koalicion, ishte një detyrë që i ngarkoi për të ardhmen.
“I bëj thirrje biznesit shqiptar dhe ne duhet të zhvillojmë takime, zoti zëvendëskryeministër me Dhomat e Tregtisë, të angazhohen edhe ato. Çdo urim që mund t’u bëj unë atyre, më i miri është që t’u jetojë biznesi sa ulliri”, theksoi Berisha.
Në mbledhjen e qeverisë, një nga detyrat më të rëndësishme iu ngarkua ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili duhet të sjellë propozimin për rritjen e tatimit mbi fitimin të kompanive celulare.
Duke iu referuar ekspertizës së një konsulenti ndërkombëtar, kryeministri Berisha tha se këto kompani po abuzojnë me lirinë ekonomike, duke aplikuar çmimet më të larta në Europë.
“5.5 lekë është kostoja e sms-së dhe këtu është edhe fitimi 17%. Unë flas me të dhënat e konsulentit ndërkombëtar. Por edhe thirrjet brenda rrjetit janë jashtë çdo lloj proporcioni në Evropë dhe në botë. Se çfarë t’i thonë vetes këta operatorë që ja shesin sms-në shqiptarëve me këto shifra, shpirti i tyre le t’ua thotë, por kjo situatë është e papranueshme”, deklaroi Berisha.
Tatim më të lartë mbi fitimin do të aplikohet edhe për bankat, për të cilat kishte gjithashtu kritika të forta për çmimet e larta të komisioneve.