E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD-ja: Arsimi dhe integrimi në BE, prioriteti ynë në katër vitet e ardhshme



Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi nga qyteti i Korçës se punësimi është një nga prioritetet e PSD-së. Sipas Gjinushit, hapja e vendeve të reja të punës, e shoqëruar kjo me shumëfishimin e rrjetit të formimit profesional të të rinjve e të të papunëve, do të jetë në fokus të programit të PSD-së. Kreu socialdemokrat u shpreh se partia që ai drejton i jep një rëndësi të veçantë arsimit. “Koncepti ynë për reformimin e arsimit, larg butaforive, improvizimeve e masave me efekt elektoral, konsiston në ngritjen e një sistemi arsimor të plotë e të harmonizuar nga ai parashkollor, tek arsimimi gjatë tërë jetës, që i jep mundësi çdo fëmije e shtetasi të arsimohet sipas të njëjtit standard, si në fshat, dhe qytet; si në shkolla private e publike, e të arrijë shkallën më të lartë të diplomimit sipas aftësive e prirjeve, e jo të kushtëzuar nga vendlindja, vendndodhja e statusi ekonomik i familjes”,- ka theksuar Gjinushi. Premtim tjetër i Gjinushit është edhe integrimi i vendit për në BE, në rast se e majta do të fitojë zgjedhjet parlamentare. Ai quajti qeverinë e drejtuar nga kryeministri Berisha si qeveri të korrupsionit dhe të skandaleve. “Qarku i Korçës në mënyrë absolute, si qark intelektual, si qark i emancipuar nuk mund të pranojë që vendi të qeveriset për 4 vjet nga një qeverisje e djathtë, nga një qeverisje e korruptuar, një qeverisje e skandaleve prandaj dhe do të zgjedhë më 28 qershor alternativën më të mirë që përfaqësohet nga psd, nga Bashkimi për Ndryshim, ku bën pjesë PSD-ja dhe aleatë të tjerë”, - deklaroi kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›