Fakti/Shenja të normalizimit të marrëdhënieve mes Vëllazërisë së Shën Piut X dhe Vatikanit
Kapitulli i Përgjithshëm i Vëllazërisë meshtarake Shën Piu X, përfunduar ditëve të fundit, ka botuar një Deklaratë lidhur me mundësinë e normalizimit kanonik kishtar të marrëdhënieve ndërmjet Vëllazërisë Shën Piu X e Selisë së Shenjtë të Romës. Megjithëse është bërë publike, Deklarata e tillë para se gjithash mbetet një dokument i brendshëm, për studimin e diskutimin ndërmjet anëtarëve të Vëllazërisë. Selia e Shenjtë e ka marrë në konsideratë këtë deklaratë, mirëpo mbetët në pritje të deklaratës së paralajmëruar zyrtare nga ana e Vëllazërisë Meshtarake, për vazhdimin e dialogut ndërmjet Vëllazërisë e Komisionit “Ecclesia Dei”. Me fjalë tjera, këtë deklaratë të bërë publike sot nga Kapitulli i përgjithshëm i Lefebvrianëve, Selia e Shenjtë nuk e konsideron, sepse ajo nuk është përgjigjja zyrtare që Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X duhej t’i jepte Selisë së Shenjtë mbi pranimin apo jo të ‘hyrjes doktrinore’, kusht për kthimin në bashkim të plotë me Romën. Selia e Shenjtë është në pritje të një përgjigjeje të tillë, e në pritje të saj nuk komentohet deklarata e botuar dje. Përgjigjja që Selia e Shenjtë pret nga Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X është ajo si rezultat i bashkëbisedimeve e i negociatave të gjata ndërmjet dy palëve që janë zhvilluar me tërheqjen e shkishërimit të katër ipeshkvijve lefebvrianë nga ana e Papës Benediktit XVI. Argumenti i bashkëbisedimeve, ishte pajtimi i mundshëm i Vëllazërisë së themeluar nga ipeshkvi imzot Marcel Lefebvre me Kishën Katolike të Romës. Kohë më parë, Kongregata e Vatikanit për Doktrinën e Fesë i ka propozuar imzot Bernard Fellayt, Eprorit të lefebvrianëve, një ‘hyrje doktrinore’ që duhet të pranohet nga grupi i ultratradicionalistëve, si dhe një zgjidhje të mundshme kanonike në rastin arritjes së “pajtimit të mundshëm”. Ky aspekt i dytë, është saktësuar nga e Selisë së Shenjtë, mund të konkretizohet në një Prelaturë personale ndërkombëtare, sipas modelit të asaj të Opus Dei. Do të thotë se bëhet fjalë për një organizëm që nuk i përgjigjet ipeshkvijve të veçantë e konferencave ipeshkvnore por drejtpërdrejtë Papës.
Bashkëbisedimet që janë zhvilluar deri më tani janë në fusha të ndryshme teologjike doktrinore e kanonike kishtare. Që nga viti 2008, një komision i përzier studimi, përbërë nga ekspertë të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X e nga ekspertë të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, është mbledhur në shumë takime, që janë zhvilluar në Romë. Këto bisedime që patën si synim paraqitjen, thellimin e zgjidhjen e vështirësive doktrinore thelbësore mbi tema kontroverse, kanë arritur qëllimin e sqarimit të qëndrimeve dhe të motiveve përkatëse. Edhe në referim të shqetësimeve e të kërkesave të paraqitura nga Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X në fushën e rendit të ruajtjes së integritetit të fesë katolike para hermeneutikës së ndërprerë të Koncilit të II të Vatikanit nga Tradita, për çka foli Papa Benedikti XVI në Fjalimin e tij drejtuar Kuries Romake (22-XII-2005), Kongregata e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë e konsideron si bazë themelore për arritjen e pajtimit të plotë me Selinë Apostolike pranimin e tekstit të ‘Hyrjes Doktrinore’ që është dorëzuar gjatë takimit të 14 shtatorit 2011.
Hyrja përmend disa parime doktrinore e kritere të interpretimit të doktrinës katolike, të nevojshme për garantimin e besnikërisë ndaj Magjisterit të Kishës e “të qenit së bashku me Kishën”, duke i lënë, në të njëjtë kohë, diskutimeve të ligjshme studimin dhe shpjegimin teologjik shprehjeve të veçanta apo formulimeve të pranishme në dokumente të Koncilit të II të Vatikanit e të Magjisterit të mëvonshëm. Në të njëjtën mbledhje janë propozuar disa elemente të një zgjidhjeje kanonike kishtare për Vëllazërinë meshtarake shën Piu X pas pajtimin të mundshëm që urohet e shpresohet të arrihet, për çka Selia e Shenjtë mbetet në pritje të përgjigjes zyrtare.
T’i jepet fund masakrimit të të krishterëve në Afrikë/Tashmë çdo të diel Kishat afrikane, në Nigeri e në Kenia, por jo vetëm këtu, kthehen në teatër të një tragjedie pa fund. Vijon çdo fundjave masakrimi i të krishterëve, që, megjithatë, mblidhen për t’u lutur e për t’u ushqyer me Eukaristinë në këtë situatë të muzgët, të cilën vetëm prania e Zotit, e solidariteti ndërkombëtar, mund t’i ndihmojnë ta përballojnë. Pikërisht nën shenjën e solidaritetit, u mbajt dje pranë Selisë së Shoqatës së shtypit të huaj në Romë, konferenca me temë: ‘T’i jepet fund masakrës së të krishterëve në Nigeri”. Në praninë e autoriteteve të larta politike e fetare, u fol për mbrojtjen e pakicave dhe të lirisë së fesë, në të gjitha format e saj. Nisma është e Vëzhguesit për lirinë fetare pranë Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme, themeluar më 2011, pas valës së atentateve në Lindjen e Mesme kundër bashkësive të krishtera, me objektiv për të krijuar, së bashku me Përfaqësinë italiane pranë Selisë së Shenjtë, një organ, që t’i kushtohet në mënyrë të posaçme, mbrojtjes së pakicave fetare dhe promovimit të dialogut e të tolerancës, me vetëdijen se bota e shikon Romën, seli e bazilikës më të madhe të krishterimit, e xhamisë më të madhe të Evropës dhe e bashkësisë më të lashtë hebraike në botë, që këtu ka edhe sinagogën e vet, si shembull dialogu ndërmjet konfesioneve fetare.