Shqipëria dhe Kosova, të vendosura për të zbardhur akuzat e Marty-t
Akuzat e Dick Martit për trafik organesh herë pas herë zënë vend të veçantë dhe në media. E njëjta situatë ndodhi së fundi gjatë një bisede televizive që kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi në një televizion zviceran. Nuk kishte se si të mos shkaktonte sërish një reagim pyetja e drejtuar ndaj Thaçit, i cili jo vetëm ka shprehur në mënyrë të qartë ndjeshmërinë e tij rreth akuzave të Dick Martit, po i ka cilësuar akuzat si një projekt që ka për qëllim shkatërrimin e pavarësisë së Kosovës. Duke e cilësuar këtë “raport imagjinar” kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nga EULEX-i të kryejë punën e tij për ta zbuluar të vërtetën. Por qëndrimi i prerë për të zbardhur të vërtetën nuk ka qenë vetëm i qeverisë së Kosovës.
Një kërkesë e tillë EULEX-it për të punuar në zbardhjen e plotë të akuzave të ngritura është bërë sa nga qeveria dhe shteti shqiptar, por edhe nga drejtues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Për ta patur sa më të qartë këtë qëndrim është e nevojshme të kalojmë në disa aspekte kohore të zhvillimit të ngjarjeve dhe shprehjes së qëndrimeve.
Në fjalën e mbajtur në një nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha do të shprehej se qeveria shqiptare ka qenë tërësisht e hapur dhe ka patur një bashkëpunim të ngushtë, me të gjitha institucionet e angazhuara për hetimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit në ish- Jugosllavi. Kryeministri Berisha i ka kërkuar EULEX-it, Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që pavarësisht se e kanë hetuar këtë çështje, por e sjellë përsëri në arenën në Këshillin e Europës, e sjellë në arenën mediatike ndërkombëtare, meriton një rishqyrtim dhe transparencë të plotë. Ndërsa më maj 2012 qeveria miratoi projektligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”që mundëson e mbështet hetimin e plotë, në gjithë territorin e Shqipërisë, të pretendimeve në raportin e Dick Marti dhe i propozoi Kuvendit që ky ligj të kalohet me procedurë të përshpejtuar. Kryeministri Berisha vlerësoi se ky ligj do t’i krijojë ekipit të ekspertëve të Task Forcës hetimore të EULEX-it të gjitha mundësitë për një hetim të plotë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, të pretendimeve të ngritura në raportin e Dick Martit. Duke shprehur besimin e plotë tek ekipi sipas kryeministrit Berisha me këtë ligj krijohet nje bazë ligjore dhe mbështetjeje të fuqishme. Sipas tij wshtw e domosdoshme zbardhja e të vërtetës mbi këto pretendime,duke theksuar se raporti nuk bazohet në asnjë fakt evident. Kryeministri Berisha ka pohuar se përpjekjet për demonizimin e shqiptarëve, janë qëndrime primitive dhe për fat të keq, përsërisin klishe historike që nuk i bëjnë nder askujt. Më 28 dhjetor 2010 Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto i është drejtuar me një letër z. Xavier Bout de Marnhac, Shef i Misionit EULEX në Kosovë, me anë të së cilës shpreh gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë EULEX, për zbardhjen e së vërtetës.
Qëndrimi i MPJ për raportin e Dick Marty/Raporti me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore” të hartuar nga raporteri i APKE, Dick Martit që në paraqitje të tij jo vetëm që është analizuar me kujdes dhe shqetësim nga gjithë strukturat përkatëse të shtetit shqiptar, por ai shkaktoi reagime të ashpra në hapësirën shqiptare duke arritur në përfundimin se ai është krejtësisht i pabazuar në fakte, prova dhe realitete të besueshme. Në qëndrimin e saj MPJ e Shqipërisë konkludon se raporti flet për anësi politike dhe synime të caktuara të autorit që, nuk janë ato për të cilat ai është mandatuar të realizojë. Ai cënon realizimin e objektivave të KE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon, për të vendosur drejtësi, për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike, për të siguruar paqe, siguri, bashkë-ekzistencë shumë-etnike dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kësisoj, raporti abuzon me autoritetin dhe besueshmërinë e KE-së. Në raporti Marty vërehen disa momente tepër shqetësuese duke filluar nga gjuha fyese e cila përshkohet nga një frymë paragjykimi dhe fyerje për shoqërinë shqiptare, traditat dhe identitetin e saj. Në raport akuzohet shoqëria shqiptare si “klanore dhe e bazuar mbi kodin e nderit dhe ligjet e kanunit”. E njëjta frymë vërehet në pretendimet krejtësisht arbitrare dhe të ekzagjeruara të autorit për të ashtuquajturën “mafie e frikshme shqiptare”. Ato injorojnë qëllimisht progresin e regjistruar në rajon, në mënyrë të veçantë në Shqipëri, në luftën kundër krimit të organizuar; progres i evidentuar dhe konfirmuar nga institucione prestigjioze si: OKB, BE, OSBE, NATO, KE, si dhe partnerët amerikanë dhe evropianë. Kualifikime të tilla janë në kundërshtim të hapur me një nga kriteret bazë të hartimit të një rezolute/raporti të APKE-së, pasi ato, sipas Rregullave të Procedurës të Raporteve, të APKE nuk mund të përmbajnë terma raciste, ksenofobe, apo intolerante, apo terma që përbëjnë fyerje të dinjitetit njerëzor. Raporti është hedhur poshtë dhe porsa i përket mungesës së fakteve për trafikimin e organeve duke u cilësuar nga autoritet shqiptare si krejtësisht të rreme dhe të pabazuara në prova konkrete. Është shkencërisht e pamundur që organet jetësore të një individi të mund të hiqen në kushte primitive profesionale. Heqja dhe transplantet e organeve, një proces delikat dhe tepër i specializuar, nuk mund të bëhen pa ekipe të specializuara mjekësh dhe pa kushtet higjeno-sanitare të niveleve më të larta. Ai nuk mund të bëhet pa zbatuar saktë protokollet përkatëse mjekësore për heqjen e organeve, përfshirë edhe mjetet e specializuara për transporte, etj. Këto nuk mund të jenë bërë dhe nuk janë bërë në një shtëpi krejtësisht të pazhvilluar fshati të largët, që përmend raporti. Prokuroria e Kosovës ka administruar, në cilësinë e provës, materiale filmike me dëshmi të rreme për trafik organesh, të dhëna nga individë të ndryshëm kundrejt pagesës. Një numër individësh kanë dëshmuar për trafik organesh kundrejt premtimit se do t’i lëshohej leje qëndrimi zvicerane (!). Kjo është arsyeja që edhe ato “prova” që mund të jenë marrë nga autori nuk mund të rikonfirmohen, komprometojnë dhe i bëjnë të pavërteta pretendimet për dëshmi të autorit të raportit. E pavërtetë dhe spekulative është lidhja mes pretendimeve për trafik organesh në vitin 1999-2000 dhe çështjes së klinikës mjekësore “Medicus” ku pretendohet se është bërë trafik organesh në vitin 2008. Kjo çështje sot është objekt gjykimi në Kosovë. Bie në sy se kjo lidhje bëhet artificialisht për të vërtetuar se pretendimet për trafik organesh në Kosovë në vitin 1999-2001 janë të vërteta! Në këtë kuadër, nuk ka asnjë provë deri më sot që e lidh punën e klinikës “Medicus” në Prishtinë me kurrfarë entiteti në Kosovë, e veçanërisht me ndonjë parti, grup ushtarak, apo formacion tjetër. Një tjetër pikë e raportit Marti bie poshtë në pavërtetësinë e saj. Pretendimi i Dick Martit për mungesën e bashkëpunimit në hetim të autoriteteve shqiptare janë krejtësisht të pavërteta. Institucionet kompetente të administratës së Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të ICTY në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe Martit gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Në vitin 2004, Gjykata për Krime të Rënda në ish-Jugosllavi (ICTY), si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova. Nuk ka asnjë provë të paraqitur nga çfarëdo agjencie se në Shqipëri mund të ketë pasur ndonjëherë varreza masive që kanë të bëjnë me konfliktin në Kosovë. Në këto kushte ishte e pamundur të hetohej për varre masive, sikurse pretendohet në raport. Duke analizuar raportin Marti, del qartë se ai është tendencioz duke dalë qartë në shprehjet e hartuesit se “përpjekjet për të përcaktuar faktet në Kosovë dhe dënuar kriminelët janë bazuar në supozimin se njëra palë ishte viktima ndërsa pala tjetër xhelati”. Në to autori jep një tablo të rreme të përpjekjeve për të dënuar krimet e luftës në Kosovë pas vitit 1999. Autori injoron qëllimisht faktin se disa shqiptarë janë dënuar për krime lufte, ndërsa disa të tjerë janë ende në proces gjyqësor. Raporti nuk është i pa-anshëm politikisht, siç duhet të jetë çdo raport i Këshillit të Evropës. Anësia politike e autorit ka ndikuar ndjeshëm tek i gjithë raporti, duke e kompromentuar atë. Vërehet trajtim paragjykues dhe apriori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një forcë kriminale. Kuptohet se autori synon të hedhë baltë mbi luftën e ligjshme të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, të drejtat e tyre dhe vetëvendosje. Për ta bërë më të besueshëm raportin dhe qëllimet e tij, autori ngre një sërë insinuatash/të pavërtetash për rolin e Organizatave Ndërkombëtare në Kosovë. Por kjo analizë është shoqëruar dhe me qëndrime të herë pas hershme të qeverisë shqiptare apo dhe drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta çuar deri në fund zbardhjen e së vërtetës rreth këtij raporti dhe akuzave të ngritura në të. Duke qenë se akuzat e Marty nuk linin jashtë tyre dhe vendin tonë, qeveria e Shqipërisë ka ripërsëritur me forcë dhe publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështjeje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Evropës, në mënyrë që t’i jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve që janë të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore. Vullneti i Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar në mënyrë serioze, profesionale dhe të pavarur këto pretendime është shprehur qartë nga përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KE-së, të cilët kanë votuar në mbështetje të këtij hetimi. Ajo ka qenë dhe mbetet kurdoherë e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla.
Institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në Projekt-Rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës.
Autoritet shqiptare kanë vlerësuar se rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunohet sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë. Pikërisht ky qëndrim kaq i hapur i qeverisë shqiptare, Ministrisë së Punëve të Jashtme, është shoqëruar në shkurt të vitit 2011 me një letër falenderimi e Shefit të Misionit EULEX-it në Kosovë Xavier de Marnhac për gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar në zbardhjen e çështjeve të ngritura në raportin e hartuar nga Dick Marti. Nëpërmjet kësaj letre sigurohet se EULEX është autoriteti i duhur dhe kur ka prova të mjaftueshme për të besuar se janë kryer aktivitete kriminale do të fillojë hetimin përkatës. Më 17 Janar 2011, një delegacion i Prokurorisë Speciale ( SPRKL) i përbërë nga prokurorë të EULEX-it dhe të Kosovës zhvilluan një takim me Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë. Ndërsa në fillim të tetorit të vitit të kaluar shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, do tw mbërrinte në vendin tonë. Lidhur me hetimin e nisur nga EULEX për pretendimet e shprehura në raportin e Dick Martit, zyrtarisht është ritheksuar gatishmëria e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me EULEX-in në këto hetime, me qëllim që t’u shkohet deri në fund akuzave të pabazuara të raportit Marti, dhe ky kapitull të mbyllet përfundimisht. Në takimet e zhvilluara shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, z. Xavier Bout de Marnhac ka bërë të ditur faktin se EULEX ka krijuar një ekip të posaçëm që po merret me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martit.
Gati në fund të janarit 2012 në Ministrinë e Punëve të Jashtme u zhvillua një takim me Kryeprokurorin e Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së, Ambasadorin Clint Williamson, i mandatuar për hetimin e akuzave të ngritura në raportin e senatorit zviceran Dick Marti. Dhe këtë herë, kryeprokurorit të çështjes, Williamson, iu rikonfirmua mbështetja dhe bashkëpunimi i plotë i autoriteteve shqiptare, me qëllim sigurimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës. Të trajtuara në mënyrë kronologjike disa nga qëndrimet e qeverisë shqiptare, gatishmëria e shprehur për bashkëpunim të hapur dhe të specializuar në hetimin e çështjes dhe akuzave të ngritura nga Dick Marti, del qartë se sa rëndësi merr çuarje deri në fund e këtij procesi të nisur hetimor dhe dalja në dritë e së vërtetës.