E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpjegon batutën e Berluskonit për vajzat shqiptare



Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, i ka informuar deputetët për vizitën e tij në Itali. Berisha gjithashtu ka shpjeguar batutën e Berluskonit për vajzat shqiptare. “Gjatë konferencës së shtypit, tek po informoja për Moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tri gazetare shqiptare, - të themi të vërtetën ishin të pashme, - të cilave kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim. Në rast se Silvio Berluskoni bëri kompliment në drejtim të tyre, aty në tërësi audienca ishte mashkullore; nuk mund të them se këto të tria nuk binin në sy, aq sa unë i ftova të tria që të bënin një foto bashkërisht. Ky ishte i gjithë historiku i shakasë së tij. Cila ishte përgjegjësia e tij në qoftë se këto tri zonja spikasnin me sharmin dhe me hiret e tyre? Ky ishte historiku dhe kishte lidhje direkt me faktin se para nesh ishin tri gazetare shqiptare që spikasnin me sharmin e tyre”, - është shprehur Berisha. Më tej ai e cilësoi historike këtë vizitë dhe pasi Italia do të angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin europian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Kryeministri konsideroi si një mundësi shumë të madhe pjesëmarrjen e tij si i ftuar nderi në Forumin e Investitorëve italianë në Europën Juglindore, i cili u mbajt në Verona, njërën prej qendrave industriale më të fuqishme të Italisë. “Në këtë forum pata një rast të artë të paraqes para një audience shumë të gjerë të gjitha mundësitë dhe potencialet e ekonomisë shqiptare për investitorët e huaj”, - tha kryeministri. Si kulminacionin e kësaj vizite, kryeministri Berisha vlerësoi takimin me kryeministrin e Italisë, z. Silvio Berluskoni dhe firmosjen e një dokumenti historik, dokumentin e Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, si dhe takimin me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, z. Xhanfranko Fini, duke i konsideruar ata “dy miq të mëdhenj dhe të shquar të Shqipërisë e shqiptarëve”. Duke u ndalur në tematikat e diskutimit dhe konkluzionet e bisedimeve, kryeministri nënvizoi se nga takimi me z. Berluskoni kishte marrë rikonfirmimin se Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin europian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Dimensione të reja do të fitojë lufta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit me njëra - tjetrën. Gjithashtu, kryeministri Berluskoni dhe qeveria italiane mbështesin plotësisht vizionin e qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale. “Ramë dakord të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm në fushën e energjisë, të ndërtimit të hidrocentraleve, të termocentraleve me burime të ndryshme, të kabllove nënujorë. Pra, mendoj se nga ky takim, vizioni energjetik i qeverisë shqiptare ka dalë shumë më i fuqishëm dhe ka marrë një mbështetje të madhe për t’u shndërruar në realitet”, - u shpreh kryeministri. Në këto bisedime u diskutua gjerësisht për Korridorin 8-të, si një korridor i madh tregu, i cili i shërben Italisë për tregjet ballkanike, por edhe Ballkanit për tregun italian drejt tregjeve perëndimore.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›