E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Për hapjen e kutive PS-ja t’u drejtohet gjykatave”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, ndërsa ka vlerësuar tryezën e mbajtur nga Presidenti Topi, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij përsa i përket kërkesës së PS-së për hapjen e kutive. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha tha se Partia Socialiste duhet t’u drejtohet gjykatave përsa i përket kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Ai tha se problemet që opozita ka me gjykatën nuk duhen bërë probleme të opozitës me qeverinë. “Garantoj edhe një herë opozitën se mbetem i hapur dhe në qoftë se ne biem dakord, çështjet e gjykatave nuk janë midis nesh, por janë të secilit me gjykatën, çështjet e tjera janë plotësisht të trajtueshme dhe të zgjidhshme”, - është shprehur Berisha. Shefi i Ekzekutivit u shpreh i hapur të pranojë çdo kërkesë tjetër të opozitës, si dhe shprehu gatishmërinë për të ngritur sa më parë komisionin hetimor parlamentar për procesin zgjedhor të 28 qershorit.
Gjykata
“Duke e garantuar opozitën se jam i hapur të shqyrtoj çdo kërkesë që është midis nesh, theksova se kurrë ndonjëherë nuk e kam konsideruar dhe nuk e konsideroj çështje bilaterale çështjen e vendimeve gjyqësore. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët t’i drejtohen asaj, por vendimi i tyre sapo jepet nuk është më problem ndër-palësh, por është problem vetëm me gjykatën. Unë nuk i kam kërkuar asnjëherë, askujt, të trajtojë problemet tona me gjykatën. Ju e keni dëgjuar opozitën të citojë 17 vendime kundër qeverisë dhe ne s’i kemi kërkuar asnjëherë opozitës të bëjmë diçka kundër këtyre vendimeve, sepse ato janë vendime të gjykatave, nuk ka përgjegjësi opozita. Ka qenë dhe do të jetë kështu derisa gjykatat janë të pavarura dhe të mos i bëjmë vegël të Ekzekutivit, që s’mund të bëhen kurrë”, - është shprehur Berisha. Më tej ai ka përmendur rastin e Fierit duke bërë të ditur se në atë zonë Partisë Demokratike i është vjedhur një mandat deputeti. “Çdo shqiptar e di dhe duhet ta dijë se mandati i Fierit iu mor kësaj maxhorance duke zhvlerësuar 512 vota të komunës së Ruzhdies. Gjykata i zhvlerësoi se ato ishin me një vulë dhe vulën tjetër e kish marrë komisionari socialist, i cili u zhduk gjithë ditën. Ne dhe zoti Rama kishim shkruar në ligj se fleta e votimit, për të qenë e vlefshme, duhet të mbajë vula dhe jo vulën. Edhe gjykatësit thanë se ne do të zbatojmë germën dhe jo frymën. Kjo është puna e tyre, por ama as kam thënë dhe as do të them ndonjëherë se mandatin ma grabiti Partia Socialiste. Jo, mandatin ne na e mori gjykata”, - është shprehur Berisha.
Tryeza
Ndërkaq, kryeministri vlerësoi tryezën e drejtuar nga presidenti Topi duke e cilësuar atë një hap pozitiv. “Edhe njëherë mund t’ju them se unë e vlerësoj atë si një përpjekje serioze, pozitive dhe se ne shkuam aty të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor. Ne mbetemi të vendosur për të dhënë kontributin tonë më madhor në zgjidhjen problemit të krijuar nga bojkoti i Parlamentit. Tryeza përfundoi duke i kërkuar Presidentit të vazhdojë më tej të eksplorojë mundësitë e konvergjencave midis palëve. Unë dua t’ju them ju dhe mbarë shqiptarëve se shpreha vullnetin tim të ndershëm dhe të sinqertë që të ulem me opozitën dhe të trajtoj një për një të gjithë listën e problemeve që opozita ka me qeverinë, për qeverinë apo për Partinë Demokratike, në frymën më të hapur dhe më konstruktive”, - është shprehur Berisha. Ai informoi se i ka kërkuar Ramës që të listojë të gjitha problemet që ai konsideron se maxhoranca duhet t’i përgjigjet opozitës dhe se PD-ja është e gatshme që t’i trajtojë me seriozitetin më të madh dhe mënyrën më konstruktive. “Sikundër propozova se opozita, duke shprehur se jemi totalisht dakord me Rezolutën e Këshillit të Europës, të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës dhe raportit të OSBE/ODIHR-it, i cili është edhe raporti bazë, sepse nëse Rezoluta ka 3-4 rekomandime, ndërsa ai ka 13 rekomandime. Opozita t’i marrë, t’i konvertojë në amendamente dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. E garantova se ne jemi gati që të enjten që vjen të ngremë komisionin parlamentar dhe opozita të ketë shumicën në këtë komision, për të hetuar të gjitha problemet që do të listojnë”, - është shprehur kreu i qeverisë dhe i PD-së.

Meta mbështet Berishën: “Rama t’i drejtohet gjykatës”

Edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta ka mbajtur dje një qëndrim të njëjtë me kryeministrin Berisha duke i sugjeruar kreut të PS-së që t’i drejtohet gjykatës përsa i përket kërkesës kryesore për hapjen e kutive të votimit dhe numërimit të votave në disa qendra votimi. Ndërkaq, Meta ka vlerësuar rolin konstruktiv të kryeministrit Berisha të mbajtur në tryezën e presidentit Topi. “Unë dua të përshëndes qëndrimin shumë konstruktiv të kryeministrit Berisha, të mbajtur në tryezën e organizuar nga presidenti Topi me kryetarin e Partisë Socialiste z. Rama, gatishmërinë e tij për të vlerësuar dhe për të mirëpritur të gjitha shqetësimet, qoftë dhe në mënyrë të listuar nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste dhe vullnetin për t`u gjetur zgjidhje të gjitha pretendimeve të përfaqësuesve të opozitës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet midis opozitës dhe maxhorancës”, - është shprehur Meta, ndërsa ka vlerësuar nismën e presidentit Topi. Më tej ministri i Jashtëm ka inkurajuar Presidentin, në mënyrë që ashtu si palët, ka rënë dakord të bëjë përpjekjet e tij për të eksploruar të gjitha pikat e takimit, të cilat bëjnë të mundur përfundimin e kësaj situate. I pyetur nëse ndihej i përjashtuar nga tryeza e Presidentit, Meta tha se LSI-ja është aktive të zgjidhjen konstruktive të kësaj situate. “Unë jam në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, të logjikshme, parimore dhe natyrisht kushtetuese, që ndihmon në rikthimin e opozitës në Parlament, për një funksionim më aktiv dhe më të plotë të Parlamentit dhe në këtë drejtim, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur qartë në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive dhe çdo veprimi konstruktiv që shkon në këtë drejtim”,- është shprehur Meta. Përsa i përket hapjes së kutive, Meta përsëriti qëndrimin e Berishës duke u shprehur se ky problem zgjidhet mes opozitës dhe gjykatës. “Mendoj se nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën për sa i takon objektit të komisioneve hetimore parlamentare”, - është shprehur Meta.

16 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›