E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shton fondet për Beratin

Dje, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar në qytetin e Beratit u organizua ceremonia zyrtare e futjes së tij në UNESCO. Të pranishëm ishin Kryeministri Sali Berisha, ministri i Kulturës, Ylli Pango, si dhe një delegacion i UNESCO-s me në krye drejtoreshën e përgjithshme për kulturën në UNESCO, znj. Francoise Riviere.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen në ceremoninë e djeshme ka qenë premtimi qeveritar për të shtuar fondet investuese në qytetin e Beratit, si dhe njoftimi i ministrit Pango për miratimit nga KRTRSH i planit të përgjithshëm rregullues së qytetit. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha garantoi se qeveria do të shumëfishojë fondet dhe financimet për qytetin e Beratit, pasuri e UNESCO-s, ndërsa ftoi autoritetet vendore që të bashkëpunojnë me studiot më të mira vendase dhe të huaja që qyteti mbi 2400-vjeçar të zhvillohet me harmoni të plotë.

Në kuadër të vizitës së tij në Berat, Kryeministri ndoqi koncertin simfonik "Berati në UNESCO", në Pallatin e Kulturës "Margarita Tutulani", ku në hapje të tij tha se "21 tetori është dhe do të mbetet një ditë historike për qytetin e Beratit, për këtë qytet të bekuar dhe për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se ne e vendosëm Beratin në kurorën e margaritarëve të trashëgimisë kulturore të njerëzimit, ndërsa falënderoi UNESCO-n dhe ata, që me përkushtim, bënë të mundur këtë arritje të madhe, që ky qytet të hapë sot një kapitull të ri në historinë dhe të ardhmen e tij, të rreshtohet në monumentet më të mira të trashëgimisë botërore. “Falënderoj të gjithë ekspertët, studiuesit dhe shkencëtarët që përgatitën dosjen për regjistrimin e Beratit në UNESCO në mënyrën më serioze. Falënderoj ambasadorin tonë në UNESCO, por falënderimi më i madh u takon të gjithë qytetarëve të Beratit, të cilët ia dhuruan këtë qytet trashëgimisë kulturore të njerëzimit”, - vijoi Kryeministri.

Ai e vlerësoi Beratin, rreth 130 kilometra larg Tiranës, një qytet me larmi vlerash mahnitëse, ndërsa nënvizoi se “kur viziton kalanë, aty sheh historinë dhe shpirtin e kombit tënd, një nga shkollat e ikonografisë botërore u krijua aty”. Kalaja, - vijoi kreu i qeverisë, - simbolizon më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin e bardhë të qytetarëve të Beratit dhe mbarë shqiptarëve. Kryeministri solli edhe një herë në vëmendje ikonën që ndodhet në muzeun e Beratit, ku krahas njëra-tjetrës ndodhen kisha, katedralja dhe xhamia me minaren e saj. “Foton e kësaj ikone e paraqita si kryefjalën time gjatë samitit të vendeve të Mesdheut, që u zhvillua pak më muaj më parë”, - tha Kryeministri.

Duke u ndalur tek vlerat e lagjes “Mangalem”, Berisha veçoi arkitekturën e saj mahnitëse, me ndërtesat me ngjyrë të bardhe dhe dritaret një mbi një. “Ngjyra e bardhë është ngjyra e shpirtit të shqiptarëve”, - tha Berisha, i cili në fjalën e tij, vuri në dukje dhe vlerat e lagjes “Gorricë”, një kopje e Mangalemit në bregun tjetër.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri siguroi qytetarët e Beratit se boshti i Jugut do të bëhet realitet. “12 vjet më parë me ish-Presidentin e Bankës Botërore (Wlsson) kam premtuar se do të bëj çdo përpjekje që Berati të shpallet pasuri kulturore e njerëzimit. Sot ky premtim u bë realitet”, - tha Kryeministri. Ai theksoi se boshti i Jugut është një bosht jetik për të gjithë Jugun e vendit dhe i jep Beratit të gjitha fuqitë potenciale që ka pasur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›