E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e teatrit, aktorë tavolinash?!

Nëse skena nuk ua ka dhënë shansin të njihen, të rinjtë që mbarojnë studimet për artet skenike kanë gjetur një mënyrë tjetër për t’u bërë të njohur. Një projekt i aplikuar në Ministrinë e Kulturës i ul sot ata në tryezë për të debatuar teorikisht se çfarë të bëjnë për njohjen e tyre. Nuk dihet se sa ka kushtuar ky projekt, që ka të ftuar për të referuar katër personazhe të teatrit që shkruajnë, janë regjisorë dhe shkruajnë mbi teoritë e teatrit. Në fund është një pastorale si “homazh”, ku Masiela Lena do të aktrojë dy pjesë, e shoqëruar më pas, pra që i bie ora e mesditës, me një koktej. “Të njohim njëri-tjetrin” është pagëzuar ky takim dyditor, ku pretendohet (së paku ka me qindra herë që flitet e flitet) të flitet e pasqyrohen arritjet dhe problematika, me të cilat ballafaqohet sot teatri shqiptar. Kjo sipërmarrje, siç njoftohet, do të ketë në fokus të njëjtën sindromë, njohjen dhe analizën e dukurive që kalon dramaturgjia, kritika, regjia, skenografia dhe aktrimi në ditët tona. Këto çështje duken aq herë të debatuara sa nuk shpresohet se këto janë problematika të tregut sot. Teorikisht për personazhet që do diskutojnë e flasin sot objektivat janë si p.sh.: ngritja në një fazë më të avancuar dhe shkencore e bashkëpunimit midis aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, skenografëve, kritikëve. Krijimi i një vizion të ri të njohjes e bashkëpunimit mes profesionistëve të artit skenik. Krijimi i premisave dhe standardeve për hapjen e diskutimeve dhe debateve periodike nëpërmjet tryezave të rrumbullakëta, simpoziumeve, prezantimeve, qoftë midis artistëve shqiptarë, por edhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Këto duken objektiva sa reale aq dhe sureale për të gjetur zbatim në terren, dhe gjithmonë të suksesshme në të tilla tryeza. Nëse këta aktorë që do flasin sot do të ishin më aktivë në mediumet publike, ndoshta teatrit do t’i ngushtohej rrota e historisë së dështimit, duke vendosur më kohë piketat e orientimit nga duhet të ecë. Ashtu siç na sjellin shembujt e vendeve të Lindjes, si Bullgaria apo Rumania vetëm forca kritike dhe qëndrimi i vazhdueshëm e objektiv i saj, rigoroziteti dhe ushtrimi i ndikimi nga forcat intelektuale të teatrit mbi politikën, kanë qenë pika të forta që vunë në shina çështjet e teatrit. Asnjë nga këto përvoja nuk na flet për organizime të tryezave të rrumbullakëta dhe projekte të tipit teorik. Nëse Ministria e Kulturës do të investojë mbi të rinjtë duhet të nxisë strategji për të zhvilluar tregun e konkurrencën, përmes zbatimit të ligjit për teatrin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›