Festohet përfshirja e Beratit në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Kryeministri Sali Berisha së bashku me Zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Znj. Fransua Riviere të shoqëruar edhe nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango përuruan Pllakën e Regjistrimit të Beratit në UNESCO.
Berisha e konsideroi këtë ditë të shënuar dhe historike jo vetëm për Beratin, por për mbarë Shqipërinë duke nënvizuar se kjo ditë e vendos Beratin si diamant në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore.
Duke përgëzuar qytetarët e Beratit, Kryeministri Berisha u shpreh se ky qytet dhe qytetarët e tij e bëjnë të ndihet krenar kudo dhe kurdoherë.
Më pas Kryeministri dhe znj. Riviere vizituan Galerinë e Arteve “Eduard Lear” dhe ekspozitën me temë “Berati në penelin e artistëve”, ku janë të ekspozuara 108 punime të piktorëve beratas.
Gjithashtu Berisha dhe znj. Riviere vizituan panairin artizanal në ambientet e Muzeut Etnografik, ku vlerësuan se trashëgimia e këtij qyteti tashmë i përket jo vetëm Shqipërisë, por edhe pasurisë kulturore botërore.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të vazhdojë mbështetjen e zhvillimit të qytetit të Beratit dhe në këtë kontekst u kërkoi autoriteteve lokale hartimin e projektit të bulevardit të qytetit, për të cilin siguroi se qeveria do ta mbështesë atë sikurse theksoi se njëkohësisht do të përfundojë dhe fizibiliteti i rrugës së Bogovës.
Përfshirja e Beratit në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s u miratua më 8 korrik 2008, nga Komiteti i Trashëgimisë Kulturore.
a.l/NOA