E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO dhe modestia e pazakontë e Berishës



Anëtarësimi në NATO është pa dyshim objektivi më i rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në përpjekjet e saj 19-vjeçare, për t’iu bashkëngjitur familjes së saj euroatlantike. Anëtarësimi në NATO ka qenë aspirata e parë zyrtare e forcave antikomuniste shqiptare, që me krijimin e PD-së në vitin 1990. Shqipëria në qeverisjen e parë të zotit Berisha, ‘92-’96, ishte vendi i parë i Evropës komuniste që kërkoi zyrtarisht anëtarësimin, që fatkeqësisht u bë i mundur vetëm pas 17 vitesh. Anëtarësimi në NATO është pa dyshim një fitore e të gjithë shqiptarëve, përfshi edhe opozitën ish-komuniste, por jo rastësisht merita dhe privilegji i realizimit të këtij objektivi strategjik iu takon përmbysësve të diktaturës, PD-së dhe aleatëve të saj. Natyrisht i përgëzoj deklaratat e opozitës në mbështetjen e anëtarësimit në NATO, me gjithë dyshimet që kam në sinqeritetin e tyre, por dua të fokusohemi tek autorja e realizimit të kësaj ëndrre, mazhoranca e z. Berisha. Kam dëgjuar shpeshherë politikanë të së majtës, që mundohen ta anashkalojnë rolin e qeverisë “Berisha” në procesin e anëtarësimit, duke e lidhur realizimin e këtij objektivi me interesat gjeopolitike të aleatëve euroatlantikë në rajon. Kjo përpjekje e dështuar për të minimizuar efektet politike e elektorale të një arritjeje kaq madhore është zhvleftësuar nga vetë zyrtarët e aleancës, por edhe përfaqësuesit të vendeve anëtare që ratifikuan anëtarësimin. Të gjithë kanë bazuar vendimet e tyre mbi plotësimin e standardeve që qeveria shqiptare ka realizuar si kushte të anëtarësimit të saj në NATO. Nuk dua të ndalemi në diskutimin teknik të procesit të anëtarësimit, por më duket e pakuptimtë që të mos vëmë në dukje kontributin dhe meritën e qeverisë së z. Berisha për këtë arritje historike. Pa dyshim që anëtarësimi në NATO është ide, projekt e sukses politik i drejtpërdrejtë i PD-së dhe aleatëve të djathtë të saj. Kjo është e evidentueshme, jo vetëm për faktin se ky proces nisi e përfundoi nën qeverisjet e PD-së, por për arsye se ky anëtarësim ka qenë nga projektet më serioze e më të investuara të qeverisjes “Berisha”. Për t’u kthyer tek argumenti i së majtës se anëtarësimi është pasojë e “interesave gjeopolitike të aleatëve”, na duhet të kujtojmë se këto interesa ishin të njëjta edhe gjatë tetë viteve të qeverisjes së tyre, madje edhe më parë, para 1990-ës gjatë qeverisjes së paraardhësve të tyre, mirëpo anëtarësimi në NATO as që mund të mendohej seriozisht. Ajo që nuk mund të mohohet në marrëdhëniet politike të NATO-s me politikën shqiptare është pa dyshim klima e besimit të tyre në raport me të majtën dhe të djathtën shqiptare. Natyrisht që mazhoranca demokratike e z. Berisha është shumë herë e më e besueshme se e majta ish-komuniste, sidomos në raportet e një aleance politiko-ushtarake, që lindi si nevojë e mbrojtjes së demokracive perëndimore nga rreziku komunist. Ky besim është pa dyshim një aset i çmuar i PD-së dhe lidershipit të saj, që i koordinuar me reformat mundësoi realizmin e objektivit më të rëndësishëm gjeopolitik të Shqipërisë, anëtarësimin në NATO. Me habi po vihet re se lidershipi i mazhorancës po e trajton me modesti tejet të tepruar një arritje kaq të madhe politike, gjë e pazakontë kjo për politikën shqiptare. Z. Berisha ka të gjithë të drejtën të pretendojë, propagandojë dhe shfrytëzojë politikisht dhe elektoralisht ekskluzivitetit e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Mendoni se çfarë mund të bënte Edi Rama po të kishte në dispozicion një mundësi të tillë politike e elektorale. Si përfundim, dua të theksoj se anëtarësimi në NATO është një garanci, që qeveria nuk ia ka mundësuar vetëm Shqipërisë politike. Pa dyshim që ky anëtarësim është po aq i vlefshëm edhe për garantimin e pavarësinë Kosovën, si dhe forcimin e pozitave të shqiptarëve në vendet e tjera të rajonit. Shqipëria në NATO përbën gjithashtu konkretizimin “de facto” e sloganit të lëvizjes demokratike të dhjetorit 1990: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në këtë kontekst, ky anëtarësim përbën edhe mbajtjen e një premtimi të bërë nga PD-ja që në ditët e para të themelimit të saj. Sot pas 19 vjetësh, ky premtim i mbajtur përbën kreditin më të sigurt politiko-elektoral të PD-së dhe një fitore personale të zotit Berisha, shprehje e vullnetit dhe këmbënguljes , për të përshpejtuar dhe garantuar sa të jetë e mundur kursin euroatlantik të Shqipërisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›