E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sot në vizitë zyrtare në Kuvajt

TIRANE-Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.

Në një njoftim për shtyp në faqene qeverisë bëhet e ditur se në këtë vizitë zyrtare Kryeministri Berisha shoqërohet nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, nga Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar.

Kryeministri Berisha gjatë kësaj vizite do të pritet në një Ceremoni Zyrtare nga Lartësisa e Tij, Kryeministri i Kuvajtit, Sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim i cili do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, Lartësinë e Tij Sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi.

Njoftimi nga qeveria beri te ditur se një pjesë e gjerë e axhendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›