E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së: Në Asamble arritëm rezultatin e duhur, vlerësoj mendimet ndryshe



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vlerësuar si shprehje të diversitetit dhe natyrës së familjes politike të PS-së, mendimet ndryshe të shprehura nga deputetë dhe zyrtarë të shumtë të kësaj partie në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të dy ditëve më parë. Rama tha se debati i zhvilluar ka qenë shumë i vlefshëm, dhe se Asambleja ka arritur të marrë rezultatin e duhur. “Në mënyrën më absolute unë i shikoj të gjitha përpjekjet, e të gjithë miqve bashkëpunëtorëve dhe kolegëve për të hapur një debat lidhur me një qëndrim që është shumë i rëndësishëm politik të PS në raport me një proces, më i rëndësishmi për një forcë politike që është procesi zgjedhor, si shprehje të atij diversiteti dhe të asaj natyre që ka familja jonë politike që padrejtësisht është parë dhe është komentuar herë pas here si një familje ku kjo gjë mungon. Kemi bërë një debat të gjatë dhe shumë të vlefshëm dhe kemi arritur rezultatin e duhur”, u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Ai iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, se përse ishte vendosur që punimet e Asamblesë të zhvilloheshin pa praninë e medias. “Mbledhjet e Asamblesë Kombëtare bëhen me statut të mbyllura dhe ato hapen për median vetëm me vullnetin e asamblesë kombëtare. Dje nuk ishte as rasti dhe as vullneti për ta bërë një gjë të tillë”, tha Rama. Ai theksoi se pavarësisht mendimeve ndryshe të shprehura nga deputetët, grupi parlamentar i PS-së do të jetë solid dhe i konsoliduar. “Unë mendoj që Grupi Parlamentar i PS, do të jetë solid, i konsoliduar, i harmonizuar dhe i koordinuar në funksion të një vendimmarrje që do të jetë fryt i sintezës i të gjitha mendimeve dhe diskutimeve të brendshme, të secilit në lirinë dhe në të drejtën e tij për t’u shprehur, gjë që asnjëherë nuk ka munduar dhe nuk do të mungoj në Partinë Socialiste”, shtoi Rama.

Rama: Rikandidimi im? Do të shihet në Kongres

Edi Rama tha se vendimi i tij për të rikandiduar si kryetar i Partisë Socialiste do të zbulohet vetëm ditën kur do të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i kësaj partie. “Pyetja juaj e merr përgjigjen e duhur në ditën dhe në kohën e duhur që është dita e Kongresit të jashtëzakonshëm”, tha ai. I pyetur nga gazetarët, nëse do të vijonte me filozofinë e tij “përtej të majtës dhe të djathtës” nëse rifitonte mandatin e kryetarit në Kongres, Rama tha: Përgjigjja është po ajo, radha e punës. Do të kemi kohë të flasim për të gjitha këto, po bindja ime është se shqiptarët nuk e kanë kundërvotuar projektin tonë politik, por projekti ynë politik nuk ka arritur të marrë miratimin e shqiptarëve për tu kthyer në një alternativë qeverisëse, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk është shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar dhe produkt i një numërimi të ndershëm të votave të shqiptarëve. Pra, s’kemi pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme që të na garantonin një rezultat që të shprehte vullnetin e popullit shqiptar dhe për këtë arsye, unë nuk kam asnjë arsye që të pranojë se projekti politik nuk ka marrë votëbesimin e shqiptarëve”.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›