Berisha sulmon Ramën: Ka fryrë administratën e Bashkisë
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha sulmon liderin e PS-së si dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për administratën e Bashkisë. Sipas Berishës, Bashkisë së Tiranës do ti ulet buxheti i pakushtëzuar që përdor për rrogat sepse administrata është shumë e fryrë.
Sipas tij është e papranueshme që Bashkia e Tiranës ka të punësuar 14 herë më shumë punonjës se sa ajo e Durrësit. Ndërsa vijoi se "eskorta e Ramës është më e madhe se Kancelaria gjermane".
Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, fajësoi Ramën edhe për rrugët e Tiranës, që sipas tij janë të paasfaltuara. "Rreth 30-40 për qind e rrugicave të kryeqytetit janë me baltë, kur ne kemi komuna me asfalt", tha Berisha, duke i kërkuar ministrit të Transporteve të shohë mundësinë e hapjes së fondit të zhvillimit të rajonit.