Berisha sulmon Ramën në Kuvend: “Do të plotësojmë çdo standard që të heqim vizat për shqiptarët”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, garantoi se qeveria do të plotësojë çdo standard, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë nga procesi i heqjes së regjimit të vizave. Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, Berisha u shpreh se liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbeten prioritetet e qeverisë që ai drejton. “I siguroj shqiptarët se qeveria ime, së bashku me të gjitha institucionet shtetërore, çështjen e heqjes së vizave e ka çështjen më kapitale. Ne do të plotësojmë çdo kërkesë të nevojshme për standardet për heqjen vizave. Do të ndërmarrim çdo reformë, do të vendosim çdo teknologji, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, në përputhje me premtimin elektoral, gjatë vitit të parë të këtij mandati të marrin vendimin përfundimtar për lëvizjen e tyre të lirë në mbarë Europën. Në rrugë të mbarë është dhe procesi i projektit më të madh kombëtar, ai i Shqipërisë europiane. Ne do të paguajmë çdo çmim, në mënyrë që praktikat e demokracisë funksionale, të ekonomisë së tregut funksionale dhe të ligjeve europiane të konsolidohen çdo ditë e më shumë dhe të afrohen çdo ditë e më shumë me vendet e BE-së. Ne jemi të vendosur që me seriozitet, me vendosmëri, të kapërcejmë çdo lloj pengese në këtë rrugë dhe të shndërrojmë në realitet ëndrrën më të bukur të shqiptarëve”, - është shprehur Berisha. Në fund të fjalës së tij Berisha i bëri thirrje opozitës të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend. Ai ritheksoi edhe njëherë gatishmërinë e tij për të realizuar bashkë me opozitën reformën e re zgjedhore në vend.
Berisha gjeti rastin për të bërë humor me qëndrimin e Ramës, i cili kërkon hapjen e kutive të votimit. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo nuk është e mundur për shkak të vendimit të formës së prerë të dhëna nga gjykata. “Me Ngjelën, zoti Rama, të dyve ju kam pasur në partinë time. Keni ikur vetë. Jam i vetëdijshëm se keni ndarë gjëra intime me njëri-tjetrin. Por politika nuk është intime. Është publike dhe ka të bëjë më interesat e qytetarëve”, - është shprehur Berisha.
13 Nentor 2009