Dokle: “Tuneli i Kalimashit, Prokuroria të rihapë dosjen e këtij skandali që vazhdon”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste i përsërit kërkesën Prokurorisë që të rihapë hetimet për abuzimet në rrugën Rrëshen-Kalimash. Qëndrimi i selisë rozë u bë i ditur dje nga deputeti socialist Namik Dokle, i cili foli në emër të 13 deputetëve socialistë që vizituan ditë më parë tunelin e Kalimashit, i cili aktualisht ka mbetur i bllokuar për shkak të një shembjeje. Dokle tha se interesimi i deputetëve të grupit socialist pranë autoriteteve ndërtuese të tunelit Thirrë-Kalimash dhe informacioni sado i kufizuar që ata morën në terren, vërtetoi dhe konfirmoi edhe më qartë atë shqetësim që opozita ka ngritur vazhdimisht në lidhje me këtë çështje. Dokle tha se kjo rrugë, e cila nisi mbarë si rrugë kombëtare dhe si projekt i shekullit, u kthye, për fat të keq, në një rrugë elektorale dhe u shndërruar për turp në korrupsionin e shekullit.
Tuneli
Deputeti socialist, Namik Dokle, hodhi poshtë pretendimet e qeverisë, sipas të cilave, tuneli i Kalimashit është shembur për shkaqe natyrore. Ai tha se ky tunel është shembur nga nxitimi elektoral i qeverisë, që tentonte ta përuronte këtë rrugë përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. “Shembja e tunelit të Kalimashit nuk erdhi nga presionet radiale, por nga presionet qeveritare për të dalë mbi rregullat e teknologjisë bashkëkohore. Shembja e tunelit të Kalimashit nuk erdhi nga strukturat e dobëta shkëmbore, por nga strukturat shtetërore që për shkencë njohin fjalimet e kryeministrit, për teknologji njohin premtimet elektorale të tij dhe për kohë e masë shpërthimesh në tunel njohin shpërthimet mitingashe të kryeministrit. Ne ishim atje për të siguruar transparencë të plotë mbi çështjen, nëse 5 verbanakë të zyrave, komunarë të Fanit, nuk duan të dinë asgjë, 5 milionë shqiptarë, këtu dhe në Kosovë, duan të dinë pse u mbyll rruga, pse u mashtrua me përurimet elektorale dhe mbi të gjitha dhe më e rëndësishme, kur do të hapet përfundimisht dhe normalisht kjo rrugë?” - vijoi Dokle.
Thirrja
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi se shqiptarët duan të dinë koston e vërtetë të rrugës, dhe jo të mashtrohen nga shifrat e ndryshme që japin Basha, Berisha dhe Olldashi. Duke akuzuar qeverinë për korrupsion, Dokle tha se tuneli duhet rihapur, por bashkë me të Prokuroria duhet të rihapë edhe dosjen hetimore të këtij skandali korruptiv. “Shqiptarët duan të dinë koston e vërtetë të kësaj rruge dhe të mos konfuzohen nga shifra gjithmonë të ndryshme që jep treshja “Babeshi” (Basha-Berisha-Olldashi). Shqiptarët duan të dinë se sa para të tjera do të paguhen nga xhepat e tyre për të mbyllur shembjen e tunelit dhe kush do t’i paguajë ato: qeveria, firma ndërtuese ndërkombëtare, apo shkrepat e Thirrës?! Shqiptarët duan të dinë se pse nuk paguhen dhe kur do të paguhen firmat shqiptare për punët e mbaruara në atë rrugë. Dhe më së fundi, por nga rëndësia më së pari, shqiptarët duan të dinë se kur do të rihapë Prokuroria shqyrtimin e këtij skandali që vazhdon? Bashkë me tunelin duhet të rihapet edhe dosja kundër abuzimeve të mëdha në këtë vepër kombëtare, që duke qenë e tillë, i bën edhe më të rënda ato”, - përfundoi deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle.
13 deputetë socialistë vizituan Kalimashin
13 deputetë të Partisë Socialiste kanë vizituar dy ditë më parë rrugën Durrës-Kukës, ku kanë inspektuar nga afër tunelin e Kalimashit, për të cilin janë raportuar shembje ditët e fundit.
Përfaqësia e 13 deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët vizituan dje nga afër tunelin e Kalimashit, përbëhej nga deputetët Erion Braçe, Namik Dokle, Eglantina Gjermeni, Ilir Beqja, Shegushe Ligori, Asllan Dogjani, Qemal Minxhozi, Sadri Abazi, Gjovalin Kadeli, Gazmir Bizgha, Hazir Gashi, Gjok Jaku dhe Edmond Prenga. Qëllimi i këtij inspektimi ka qenë marrja e informacionit në terren për shembjen e tunelit, në kushtet kur socialistët pretendojnë se mungon transparenca dhe informimi nga ana e qeverisë dhe veçanërisht nga ana e Ministrisë së Transporteve.
Deputetët u shantazhuan nga drejtues të PD-së
Gjatë inspektimit të 13 deputetëve socialistë, pranë tunelit ka ndodhur një incident. 6 persona, të cilët janë afruar me dy makina me targa të rrethit Mirditë, kanë ushtruar presion psikologjik ndaj deputetëve socialistë. Ata u kanë bërë shantazh deputetëve socialistë që të ktheheshin mbrapa nga kishin ardhur dhe të futeshin në Parlament, duke lëshuar edhe akuza, sipas të cilave PS-ja është armike e Rrugës së Kombit. Sipas deputetit socialist Qemal Minxhozi ky ka qenë një presion i orientuar. Partia Socialiste, me anë të një njoftimi për shtyp, ka përmendur emrat e personave që kanë tentuar të ushtrojnë presion ndaj deputetëve socialistë. Sipas njoftimit të selisë rozë, këta persona kanë qenë: Gegë Ceraj, nënkryetar i komunës Fan, Ndue Frrokgjeta, babai kryetarit të komunës Fan, Ndue Toma, kryetar i PD-së Fan, Ndue Marku, veteriner i komunës Fan dhe Nikolin Gjaci, polic në komunën Fan.
Rama kërkoi hetimin e Berishës, Bashës dhe Olldashit
Pas raportimeve për shembjen e tunelit të Kalimashit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dy ditë më parë hetimin e kryeministrit Sali Berisha, hetimin e ministrit të Transporteve Sokol Olldashi dhe të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Rama kërkoi hetimin e Berishës, pasi sipas tij, tuneli është shembur për shkak të inaugurimit elektoral që i bëri kryeministri. Kreu i PS-së kërkoi hetimin e Olldashit, pasi e akuzoi se po keqmenaxhon investimin më të madh që kanë bërë shqiptarët në këtë rrugë, si dhe hetimin e Bashës, të cilin e akuzoi se ka bërë korrupsion në ndërtimin e kësaj rruge.
13 Nentor 2009