Topalli flet në seancë për 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare e cilësoi rrëzimin e Murit të Berlinit si rrezen e dritës në fund të tunelit për Shqipërinë. Sipas saj, po të kthejmë sytë 20 vjet pas dhe ta krahasojmë me vendet e tjera, nuk do gjejmë një vend tjetër që të ketë bërë në një kohë kaq të shkurtër një rruge kaq të gjatë. “Sot ne jetojmë në pluralizëm. Më 28 qershor, për herë të parë realizuam zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore të OSBE-së. Kjo ishte fitorja më madhe. Kjo ishte prova e suksesit. Ne bëmë zgjedhje të lira. Dhe për këtë, 24 orë më parë, Këshilli i Ambasadorëve hapi dritën jeshile”, - është shprehur Topalli, ndërsa theksoi se “ai që tenton pengimin e lëvizjes së lirë, më kujton vetëm ata që ngritën mure, si ato të Berlinit - veçse jashtë kohe”. Topalli në fjalën e saj iu referua bojkotit të opozitës dhe vendimit të kreut të PS-së për të mos marrë pjesë në Kuvend. “Ai që ka zhytur dorën në baltë dhe këtë të fundit kërkon t’ia hedhë vendit të vet është vetëm banal dhe absurd. Çdo absurditet në sjellje rrjedh nga imitimi i atyre, të cilit ai nuk mund t’i ngjasojë. Shef është ai burrë që merr përgjegjësi e thotë: ‘Unë humba’. Ai nuk mund të thotë: ‘Njerëzit e mi humbën’. Shefat duhet të jenë burra. Por edhe gra po të jenë, nuk mund të mbajnë peng për karrierë personale dhe ego individuale një grup parlamentar”, - është shprehur Topalli.
13 Nentor 2009