E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sulmon Ramën për kartat, kryesocialisti non stop në krizë

Kryeministri vlerëson procesin normal të letërnjoftimeve 
Kryeministri Berisha ka sulmuar sërish kundërshtarin e tij politik, Edi Rama duke prekur çështjen e lejeve të dhëna nga bashkia. Nëpërmjet një konference për shtyp, gjatë së cilës ka folur për vizitën që ka zhvilluar në Francë me ftesë të presidentit Sarkozy, kryeministri Berisha i pyetur nga gazetarët lidhur me krizën në procesin e aplikimit për kartat e identitetit, ka akuzuar sërish kreun e Partisë Socialiste Edi Rama duke cilësuar se kriza në këtë proces ekziston vetëm në kokën e Ramës. Kjo krizë është në mendjen e Edi Ramës. Edi Rama është non stop në krizë. Bëni një pyetje se në cilin regjim në botë mund të ndodhte që kryetari i bashkisë, apo kryetari i komitetit ekzekutiv në diktaturë, të merrte vetë apo ti jepte vëllait të tij 19 nga 28 leje të dhëna. Vetëm një njeri që po përjeton një krizë të thellë morale, që e ka zeruar moralin dhe normën, mund ti lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë. Imagjinoni veten në një detyrë shtetërore, kur ligji të thotë konflikt interesi, nuk do të pranoje kurrë ti jepje më shumë se dy jo njeriut të afërt, por as edhe  një shoqeje. Por, ai mori Eftimin e tij, pa pyetur fare se çndodhte, pa çarë kokën, njëlloj si në plazh publik, kur ishte ministër, se sytë e gjithë shqiptarëve ishin drejtuar nga ajo mbledhje. U tha shqiptarëve çmë duhet mua se çbëj unë. Pra, nuk ka krizë. Për sa i përket problemit, sot kanë aplikuar 17 400 vetë, ka sqaruar Berisha. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka deklaruar se mazhoranca është e hapur për të negociuar me opozitën për çmimin e tyre, duke pranuar zhvillimin e negociatave në nivel ekspertësh, si dhe u shpreh i hapur për çdo propozim që do të vijë nga opozita duke përjashtuar shpërndarjen e kartave falas. Në lidhje me shkrimet mediatike se kryeministri e ka blerë vizitën në Francë në këmbim të disa helikopterëve, Berisha e ka cilësuar këtë një tjetër trillim të turpshëm të Edi Ramës, i cili sipas tij nga ora e Bushit, kalon tek shpifje dhe trillime të tilla. Të jeni të bindur se presidenti Nikola Sarkozy më ftoi mua në Eleezy, para së gjithash e mbi të gjitha, për të shprehur mbështetjen e tij të plotë e totale ndaj këtij vendi. Kjo vizitë u bë në këtë moment, sepse, e vërteta është se jam përpjekur shumë më tepër që Presidenti të vijë në Shqipëri. Unë kam pasur një qëllim, por, meqenëse axhenda e tij nuk e lejon, më ftoi mua që të shkoja. Ndërsa, ky zotëri që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si tmerr e si disfatë, pavarësisht se kjo është edhe interesi më i mirë i vendit dhe kombit të tij, përdor në mënyrë barbare median. Ju e dini edhe historinë për lajmin e orës së presidentit Bush, sesi u dërgua mesazhi që, meqenëse nuk iu bë vizita në bashki, ta nxinte e të bënte një flluskë. Mund të them se edhe kjo është si ora e Bushit bis, ka sqaruar kreu i qeverisë. Për sa i përket listave, të kandidatëve për deputet të PD-së, kreu i qeverisë ka theksuar se partia ka një statut, ka forume dhe gjithçka do të procedohet sipas statutit të Partisë Demokratike. Sipas tij PDSH është një parti e strukturuar, ka kryesi, Këshillin Kombëtar dhe në këtë drejtim ka siguruar se gjithçka do të përcaktohet mbi bazën e këtij statuti. Në lidhje me pyetjen për dhënien e licencës së operatorit të 4, të telefonisë celulare në Shqipëri, Berisha edhe këtu ka përmendur kundërshtarin e tij politik, liderin e PS-së. Por a mund ta anashkaloj faktin, kur kolegia juaj në këtë sallë, e porositur nga Edvini, do të më pyeste për licencën dhe pronari i Edilit do të përgënjeshtronte se nuk kishte aplikuar kurrë për licencën, ndërkohë që ministri të nesërmen nxori të gjitha dokumentet e aplikimit dhe Edili bashkë me Edvinin kishin ofruar 5 milion. Këtë e thashë pasi duhet të ekzistojë memoria, i është shprehur Berisha gazetares, e cila ka drejtuar pyetjen. Gjatë kësaj konference, kryeministri i vendit ka folur edhe për vizitën zyrtare në Francë dhe arritjet e takimeve zyrtare me presidentin Nikolas Sarkozy dhe ministrin e Jashtëm, Bernard Kushner, vizitë të cilën e konsideroi tepër të suksesshme, gjatë së cilës është diskutuar gjerësisht mbi bashkëpunimin bilateral para së gjithash në fushën ekonomike, por edhe në atë kulturore.
Sot mësohet data për aplikimin e vendit në BE
Kryeministri Berisha ka deklaruar se data e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE do të bëhet e ditur ditën e sotme. Nesër (Sot) do të njoftoj për datën e aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE. Sigurisht që unë nuk do të shkoj të aplikoj pa iu njoftuar ju dhe nëpërmjet jush qytetarët shqiptarë. Kjo është normale, një standard dhe detyrim, sikundër do të ketë një akt të rëndësishëm në këtë mes, tha kryeministri. Lidhur me këtë çështje, kreu i qeverisë ka shprehur edhe mbështetjen që presidenti Sarkozy ka dhënë për Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj në BE, duke cilësuar këtë proces të parikthyeshëm. Shqipëria, në mënyrë të qartë do të jetë anëtare e BE-së dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE dhe Franca e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ka theksuar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›