E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet PS e Durrësit, Rama eliminon Bizhgën nga drejtimi i partisë

Kryesocialisti durrsak boshatis zyrat, PS pa kryetar
Partia Socialiste nga dita në ditë po shndërrohet në parti private ku mbizotërojnë interesat e kryebashkiakut Rama. Kreu i socialistëve shqiptarë, në kuadër të spastrimit të PS nga elementët kontribuues dhe militantë, të cilët i konsideron njerëz pa vlera. Largoi nga kreu i PS, Durrës, Gazmir Bizhgën, të cilin e ka konsideruar si njeriun e tij më besnik. Gazmir Bizhga ka qenë një nga njerëzit që ka kontribuuar në zgjedhjen e Edi Ramës në krye të PS, por shpërblim mori nga ky i fundit largimin nga kreu i PS Durrës. Kryesocialisti Edi Rama, duket se e ka nxjerrë sloganin e fushatës për zgjedhjet parlamentare 2009, me shpejt se të gjitha forcat e tjera politike.Spostim të emrave të njohur e kontribues në PS dhe afrim i emrave të rinj, kontribuues në interesat personale të Ramës. Ky do të ishte slogani më i gjetur për Ramën në këto prag zgjedhjesh, ku ai vetë ka shfaqur hapur distancën ndaj emrave që tashmë duhet thënë se janë të vjetër në forcën e majtë politike. Nga ana tjetër, ai po afron pranë vetes njerëz të besuar të tij, që mund ti shërbejnë pa hezitim sot dhe në të ardhmen interesave të tij politike. Por, paçka se për Ramën kjo mund të jetë një linjë politike e duhur në këto zgjedhje vendimtare për qeverisjen në 4 vitet e ardhshme, një shije të hidhur ka lënë vetë në strukturat e PS, ku të gjithë presin nga çasti në çast se ku do të degdisen nga kreu i tyre, Rama. Kryesocialisti Rama ia ka komanduar vetes të gjitha të drejtat për propozime, lëvizje, shkarkime, emërime, kandidatura e çfarëdolloj gjëje që mund të ndodhë brenda strukturave të PS, madje edhe shkatërrimi i këtyre strukturave ka mbetur një ekskluzivitet i tij. Politika spostuese ndaj emrave të parëndësishëm për të dhe pranimi e afrimi i emrave të rinj por që i nevojiten për të përmbushur ambiciet e tij politike, ka çuar deri në kaos funksionimin e strukturave të PS, sidomos në rrethe. Pas çoroditjes që i bëri bazës socialiste në Berat, ku në vend të Erjon Braçes lançoi Erjon Veliajn, Rama i dha një tjetër goditje Durrësit, me largimin e Gazmir Bizhgës. Politika e Ramës, sa e mashtrimit aq edhe e dhunës detyroi Bizhgën që të jepte dorëheqjen 1 muaj më parë si kryetar i PS-së për qytetin e Durrësit. Burime brenda PS bëjnë të ditur se Rama e ka justifikuar veprimin e detyruar të Bizhgës me pretekstin se një gjë të tillë e kishin kërkuar vetë të majtët e këtij qyteti, të larguar nga kjo forcë vetëm për shkak të Bizhgës. Sipas burimeve, Rama i ofroi dorëheqjen Bizhgës në shkëmbim të renditjes së emrit të tij si një ndër kandidatët e mundshëm për qarkun e Durrësit në zgjedhjet 2009. Në këtë mënyrë, nga njëra anë Rama synonte të afronte të majtët e larguar nga faktori Bizhga, e nga ana tjetër të zbuste arsyen dhe pretendimet e Bizhgës. Por duket se Bizhga nuk e ka pritur me të njëjtin entuziazëm largimin e tij nga posti i kreut të PS-së së Durrësit. Bizhga mësohet se me të dhënë dorëheqjen si kryetar i PS së degës Durrës, ka zbrazur zyrat dhe nuk është kthyer më aty. Ndërkaq, ai vazhdon aktivitetin e tij si sekretar rajonal i PS. Ndërsa Rama ka preferuar ta lërë krizë PS-në e Durrësit deri në ditët e sotme, duke shkaktuar konfuzion edhe në vetë bazën socialiste të Durrësit. Nga burime brenda PS, mësohet se janë rreth 30 emra të përfolur për zëvendësimin e Bizhgës si kryetar i PS-së së Durrësit, por më i mundshmi i zgjedhur nga vetë Rama është një njeri që vjen nga strukturat e PD.
Marrëveshja për kandidat
Dorëheqja e Gazmir Bizhgës si kryetar i PS-së Durrës, ka si prapavijë emërimin e tij si kandidat për deputet. Por edhe këtu, duket se Bizhgës nuk i janë lënë shumë shanse për të justifikuar largimin e tij si kre i PS-së së Durrësit. Kryesocialisti Rama nuk ka bërë të ditur ende një listë paraprake me emrat kandidatë për deputetë të kësaj zone. Megjithatë, burime brenda PS bëjnë të ditur se Blendi Klosi është emri më i mundshëm si kryesues i kësaj liste, i përkrahur fort nga vetë Rama. Duke ditur mirë pozicionin e tij, Klosi ka nisur dhe fushatën paraelektorale në Durrës. Ndërkaq, burimet brenda PS shtojnë se megjithëse nuk i është dhënë i njëjti suport, edhe Gazmir Bizhga është një ndër emrat e tjerë që përflitet të jenë pjesa vijuese e listës emërore me kandidatët për deputetë. Po ashtu, pjesë e kësaj liste për qarkun e Durrësit, përflitet të jenë Valentina Leskaj, Natasha Paço, Kujtim Traja, Genc Mata etje. Kjo listë mendohet se do të dalë gjatë ditëve të para të muajit Maj, pasi në mes të këtij muajit lista përfundimtare duhet të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve                 

Last Updated on Monday, 27 April 2009 12:00

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›