Berisha premton ta kthejë në bashki Kasharin
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka premtuar banorët e Kasharit, se shumë shpejt kjo komunë do të kthehet në Bashki. Këtë premtim kreu i qeverisë e ka bërë gjatë inaugurimit të dy shkollave në këtë vend. Kam kënaqësi tju informoj se kjo mazhorancë do të përdorë të gjithë mbështetjen e vet për tju shpallur juve bashki, pasi ju e meritoni plotësisht. Kashari do të shpallet bashki, sepse këtu keni një zonë të urbanizuar më mirë se çdo lagje e Tiranës, sepse numëron mbi 2 mijë biznese, do të shpallet bashki, sepse inauguron dy shkolla të mesme, sepse i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë, ka deklaruar kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri shprehu kënaqësinë për rezultatet e publikuara nga studimi më i fundit mbi varfërinë, sipas të cilit, brenda viteve 2005-2008, varfëria në vend është ulur nga 18 për qind në 12 për qind.
Kjo qeveri ia doli të nxjerrë nga skamja e varfëria, para së gjithash, duke rritur pagat e pensionet dhe duke krijuar vende të reja pune, jo 10-20 apo 60mijë, por 200 mijë shqiptarë. Unë ju garantoj se me këto investime që kemi bërë, në 4 vitet që vijnë, jo 200 mijë, por, së paku, edhe 300 mijë që kanë mbetur do ti nxjerrim nga varfëria, vijoi kryeministri. Gjatë inaugurimit përfundimit të dy shkollave të reja, shkollës 9-vjeçare në fshatin Kashar Qendër dhe shkollën e mesme Sadik Stavaleci në fshatin katund i Ri, të komunës Kashar, Berisha ka theksuar se në katër vitet e ardhshme, qeveria e djathtë do të dyfishojë buxhetin për arsimin në rast fitoreje dhe premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme, do të ndërtohen ose rindërtohen të gjitha shkollat kanë mbetur. Gjatë mandatit të dytë, buxheti për arsimin, i cili u dyfishua në këtë mandat do të jetë dy herë më i madh gjatë mandatit të dytë, sikundër do bëjmë çdo përpjekje që të përfshijmë sektorin privat që të kontribuojë sa më shumë në arsim, deklaroi Berisha. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka premtuar për nxënësit e mirë sigurimin e bursës. Ndërsa për ata që aplikojnë në 10 universitetet më të mira të perëndimit dhe fitojnë të drejtën e studimit, sipas Berishës do të ketë bursa nga qeveria, përfshi këtu rreth 100 mijë dollarë në vit. Sipas tij, qeveria është e gatshme të paguajë për secilin prej nxënësve, që do të fitojnë të drejtën, të ndjekë studimet në një nga 10 universitetet më të mira të botës deri në gjysmë milion dollarë. Ndërtimi i dy shkollave të reja u realizua nga buxheti i shtetit, me një investim me vlerë rreth 1.7 milion euro. Dy shkollat e reja, me rreth 1700 nxënës, janë të pajisura me mjedise moderne të mësimdhënies, me laboratorë të ndryshëm mësimorë, kabinete informatike, palestër dhe terrene sportive.