Elbasan, Leskaj: Programi ynw mbështet biznesin
Kryetarja e Grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj ka deklaruar nga qyteti i Elbasanit se biznesi dhe mbështetja ndaj tij janë pjesë e platformës qeverisëse të PS. Leskaj ishte në një ndërmarrje me fason, e cila si gjithë të tjerat në këtë periudhë përballet me vështirësi të shumta, të deklaruara nga fasionistët në të gjithë takimet e zhvilluara me strukturat përkatëse qeveritare. Leskaj u shpreh se PS ka një program shumë serioz për mbështetjen që do i jepet biznesit pas 28 qershorit. Biznesi meriton të vlerësohet, biznesi meriton të mbështetet.
Ajo që ne do të bëjmë pas 28 qershorit, është mbështetja që ne do ti japim biznesit. Ne kemi një program shumë serioz për këtë, që ka të bëjë jo vetëm me nxitjen e iniciativave që janë në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm, madje edhe atij të madh, u shpreh Leskaj. Ajo tha se janë të parashikuara në program elementë të mbështetjes së biznesit, që kanë të bëjnë me sistemin e taksave apo investimeve në fushën e arsimit dhe formimit profesional. Leskaj deklaroi se PS do të mbështesë arsimin si një pikë e rëndësishme e Programit. Për ne arsimimi profesional është shumë i rëndësishëm, pasi i ofron biznesit punëtorë të kualifikuar dhe mundësi që ai të eci. Arsimi së bashku me mbështetjen e biznesit janë nga fushat prioritare që kemi parashikuar në programin tonë, sepse ky vend duhet të zhvillohet, njerëzit kanë nevojë të punësohen dhe kanë nevojë për një jetë më të mirë, përfundoi Leskaj.