Berisha sulmon Shpëtim Gjikën: E kanë kërcënuar me burg, ndaj ka nisur një fushatë terrori
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri në largim, Sali Berisha, ka sulmuar edhe kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për fushatën e prishjeve të objekteve të ndryshme pa leje. Sipas Berishës, Gjikën e kanë kërcënuar me burg, ndaj dhe ka nisur një fushatë terrori edhe ndaj objekteve me leje. Për këtë arsye, Berisha ka kërkuar ndalimin e prishjes së objekteve.
Shpëtim Gjika, që ka katër muaj pa paguar punonjësit e bashkisë, ka marrë një fushatë propagande terrori duke prishur ndërtime me leje. Gjikën e kanë kërcënuar me burg dhe diku ja kanë kapur fijet. Ai është kërcënuar nga Rama dhe Koço Kokëdhima. Kërkoj nga të gjitha agjencitë që të ndalojnë prishjen e objekteve me leje. Janë një sërë ndërtimesh, të cilat me forcën e ligjit nuk mund të preken, veçse me dëmshpërblim dhe shpronësim.
Rama u premtoi qytetarëve legalizim falas, por tashmë u ka lëshuar ruspat edhe atyre ndërtesave që janë legalizuar, tha Berisha./b.l