E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sulmon Topin: Presidentin e zgjedhim ne, por nuk do jem unë

Share

Kryeministri flet për ABC News për çështjen e presidentit, për gjyqin e Metës, për reformën zgjedhore dhe për 21 janarin. Deklarata ndaj Topit: Sapo uli ndenjëset në presidencë, nisi sulmin ndaj mazhorancës. Berisha tha se presidenti i ri do jetë figurë politike. Ai nuk shkon aty as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll. Për 21 janarin thotë se duhet pranuar se kryeministria u rrethua dhunshëm. Sulmon prokurorinë për gjyqin e Metës dhe vlerëson gjykatën

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar presidentin Bamir Topi ka studio e ABC News, ndërsa ka deklaruar se presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës. Kjo sipas Berishës nënkupton një kandidaturë nga PD. Madje Berisha shtoi se vetë Rama duhet të kërkojë që propozimin ta bëjë PD.

Presidenti duhet të jetë njeri i Kushtetutës. Nëse një president e koncepton postin e vet si luftë me mazhorancën, po lufton me mullinjtë e erës. Presidenti është një kryeministër i drejtësisë, por emërimit duhet ti konsultojë me parlamentin. Nuk po flas për rastin konkret, se ky iku, tha Berisha, që e quajti sërish zgjedhjen e Topit një gabim të madh. Berisha ka komentuar deklaratat e ambasadorëve për president konsensual duke thënë se do zbatojë Kushtetutën, edhe pse ka respekt për diplomatët. Berisha ka vijuar akuzat ndaj Topit duke thënë se sa uli ndenjëset në atë karrige nuk pyeti nëse ekziston më mazhoranca.

Unë prisja të bënte atë që duhej të bënte, të ishte negociator i fuqishëm. Ai bëri një zgjidhje pa imponimin tonë, por kjo është zgjedhje e tij. Pushteti nuk është për tu bllokuar, por për tu ushtruar. Nëse zgjedh për të bllokuar veten se po bëj pa mazhorancën, dështon veten, tha Berisha.

Kryeministri foli sërish për bashkëpunim mes Topit dhe Edi Ramës. Edi Rama është njeriu që lexohet më kollaj. Ai bën vetëm ciu- ciu. I premtoi sepse ai që të jep votën, të jep zemrën politike, tha Berisha.

Kryeministri deklaroi se presidenti i ri do jetë figurë politike. Ai nuk shkon aty as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll. Do të zyrtarizohet kandidatura nga PD sapo të hapet gara, tha Berisha, që ka garantuar se nuk do jetë ai president.

Miqtë e mi nuk e kanë të qartë se kundërshtarët e tyre mezi po presin Berishën President, por nuk do ta shohin. Unë kam qenë President. Në këto ndryshime që janë bërë unë i qëndroj premtimeve në fushatë elektorale. Si Presidenti nuk do ti mbaja do këto premtime, vlerësoi Berisha.

Kryeministri tha se Topi është i lirë të bëjë parti, por shprehu bindje se atij nuk i rrjedh elektorati. Berisha tha se as nuk fragmentarizohet e djathta. Sali Berisha ka bërë koalicionet më të gjëra, Ramën nuk e lë xhaketa të bëjë koalicion të gjerë, tha Berisha.

Duke komentuar gjyqin ndaj Ilir Metës, Berisha tha që në fillim se prokuroria mashtroi rëndë parlamentin, duke iu referuar mesa duket çështjes së videos. Fatmirësisht Gjykata e Lartë pranoi gjykimin në themel të çështjes, tha Berisha. Të presim vendimin e gjykatës. Nëse Meta do hyjë në kabinet, kjo është në varësi të LSI-së, tha më tej kryeministri.

Berisha ka komentuar edhe idenë e përbërjes së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve më gjykatës. Berisha tha se opozita po tregohet kontradiktore pasi ka sulmuar më përparë gjykatësit, tani kërkon KQZ me gjykatës. Megjithatë Berisha tha se Kushtetuta nuk ua lejon diçka të tillë gjykatësve.

Kryeministri u shpreh kategorik për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nuk e shkruajta unë Kushtetutën, por kundërshtarët e mi. Me këtë sistem çdo zonë është e përfaqësuar nga dy spektret politike, tha Berisha.

Duke folur për 21 Janarin, Berisha tha se ajo ishte një tentativë për të marrë pushtetin me dhunë. Demokracia ka vështirësitë e veta, u shpreh Berisha. Kryeministri tha se çështja po hetohet nga prokuroria dhe nga komisioni hetimor. Por askush nuk mund ta mohojë se kryeministria u rrethua dhunshëm, tha Berisha. Kryeministri shtoi megjithatë se qytetarët e dhanë verdiktin më 8 maj.

Kryeministri tha se e ka marrë INSTAT-in nën varësinë e tij direkte, pasi me ligj nuk lejohej të ishte nën varësinë e këshillit të ministrave (?!).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›