Mafia është banka më e madhe në Itali
Krimi i organizuar është përfituesi më i madh në Itali- me mbi 100 miliard euro fitime në vit. Kështu thuhet në një raport të përgatitur nga një organizatë e bizneseve në Itali.
Miliona euro fitohen nga dyqanet, restorantet, kinematë, kompanitë e ndërtimit dhe mijëra biznese të tjera që paguajnë gjoba tek padrinot.
Raporti i përgatitur nga Confesercenti thotë se xhiroja vjetore e mafias është 140 miliard euro, rreth 7 përqind e GDp-së së vendit. Nga këto 100 miliard janë fitime. Është një shumë e jashtëzakonshme parash që shkon direkt në xhepat e mafiozëve.
Raporti thotë se çdo minutë një biznes ose një aktivitet tregtar preket direkt nga krimi i organizuar- dhe asnjë pjesë e vendit nuk është e imunizuar. Shqetësim përbën rritja e këtij aktiviteti në Romë.
Marco Venturi, president i Cenfesercenti, thotë se mafia është banka më e madhe në vend pasi likuiditetet e saj arrijnë deri në 60 miliard euro.
Ai shtoi se si rezultat i presioneve dhe frikësimeve, më shumë se 190 mijë biznese janë detyruar të mbyllen gjatë tre viteve të shkuara.