E Diel, 1 Nëntor 2026

PS mbledh krerët e rretheve, e quan 2012-ën një vit elektoral

Share

Vendimi: PS do të mbështesë mbledhjen e firmave për referendumin kundër importit të plehrave

Partia Socialiste i ka nisur paksa herët përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, që pritet të mbahen pas një viti e gjysëm. Ajo e ka cilësuar këtë vit si një vit elektoral dhe ka vënë në punë motorët e partisë në të gjitha rrethet. Gjithashtu kjo parti do të mbështesë mbledhjen e firmave për referendumin kundër importit të plehrave. Këto vendime janë marrë në takimin e sotëm të kreut të PS-së, Edi Rama, me krerët lokalë të kësaj partie. Gjithashtu është diskutuar për organizimin e marshimit- homazh që do të mbahet më 21 janar në nderim të katër të vrarëve para një viti. PS njofton se më 15 janar nis viti elektoral i PS, i cili përfundon në datën kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, tha pas mbledhjes se është besimplotë për realizimin e këtij objektivi: Viti elektoral nis më 15 janar dhe mbaron ditën e zgjedhjeve. Gjatë këtij viti do ketë diskutime, debate, vjelje idesh jo vetëm me anëtarët e PS dhe ata që e mbështesin, por edhe me ata që gjejnë te PS forcën e cila do ndryshojë vendin. Edhe me ata që nuk e votojnë PS, pasi ne jemi një forcë gati për të marrë qeverisjen, ndaj në programin tonë duhet gjejnë veten të gjithë qytetarët e këtij vendi. Rritja prej 30 % do të thotë një shtesë prej 30 mijë anëtarësh të rinj brenda vitit 2012. Jam besimplotë që do ta realizojmë këtë objektiv. Do punohet jo vetëm me strukturat bazë të partisë. Do kërkojmë që struktura bazë të bashkëpunojë me të gjithë aktorët e shoqërisë e grupet interesit gjatë gjithë këtij viti elektoral për shtimin e organizatave socialiste.

Nga ana tjetër PS ka vendosur të mbështesë referendumin e ndërmarrë nga shoqëria civile kundër importit të plehrave, një çështje që kjo parti e ka kundërshtuar edhe në Kuvend. Klosi tha se edhe pse u vështirësua në mënyrë të ulët nga veglat e qeverisë në KQZ, do të ketë mbështetje të plotë nga PS. Duke folur për pstv.al ai shprehet se nuk është politikë e fshehtë e PS. Ne e kemi deklaruar në Kuvend që jemi për një referendum, dhe po ashtu që sido që të shkojë procesi me referendumin, ligji i parë që do të shfuqizohet është ligji që ka të bëjë me importin e plehrave. Partia Socialiste është krejtësisht në mbështetje të plotë të Aleancës Kundër Importit të Plehrave duke i kërkuar të gjithë mbështetësve të PS që në të gjitha pikat ku do mblidhen firmat të ketë pjesëmarrje aktive. Pjesëmarrje aktive, jo vetëm në mbledhjen e firmave po dhe në debatin publik për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›