E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takim për privatizimet: Brenda vitit, shitet gjithçka

TIRANE- Qeveria Berisha do të privatizojë të gjitha asetet e mbetura të papërfshira në këtë proces dhe me vlerat e përfituara prej tij do të kompensojë ish pronarët sipas ligjit të parashikuar. Në takimin e zhvilluar me disa ministra për këtë cështje, kreu i ekzekutivit tha se të vetmet që nuk do të përfshihen në procesin e privatizimit janë shkollat, digat e spitalet. “Ne duhet të kompletojmë privatizimet e të gjitha asetet, duke përjashtur këtu digat, shkollat, spitalet. Të tjerat të gjitha në privatizim. Zotërinj ministra privatizimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për administratat që ju drejtoni. Ne kemi pushtetin për të marrë cdo vendim në interes të këtij procesi, për të thjeshtuar hallkat dhe procedurën në interesin më të mirë. Vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët, sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur para qytetarëve shqiptarë.” theksoi kreu i qeverisë. Berisha vlerësoi procesin si shumë të rëndësishëm për tu ndarë nga korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë cerdhet e korrupsionit. “Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik. Para së gjithash për tu ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në spiërmarrjet ku shteti është aksioner dhe në tërë pronat që janë cerdhet e korrupsionit.” tha Berisha. Deri tani INSIG ka mbetur pa u privatizuar si pasojë e dështimit disa herë të tenderit ndërkombëtar. Gjjthashtu pa privatizuar ka mbetur dhe ndërmarrja AlbPetrol. Nuk dihet se sa i thjeshtë do të jetë që ky proces të përfundojë brenda këtij viti kur dihet që ekonomia në botë ndodhet ende në procesin e rimëkëmbjes. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›