Policia masa të rrepta kundër krimit dhe aksidenteve
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka marrë masa dhe plane konkrete për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në akset rrugore.
Për këtë arsye, është dërguar për zbatim një plan masash me detyra konkrete për shërbimet e Policisë Rrugore e të Rendit dhe Forcat Lëvizëse Operacionale.
Gjatë vënies në zbatim të detyrave të përcaktuara në këtë plan masash, është bashkëpunuar ngushtë edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në kuadër të këtij plani, nga data 04 - 08 shkurt 2010, në të gjithë vendin, janë organizuar dhe realizuar kontrolle të përbashkëta të shërbimeve të Policisë Rrugore, të Policisë së Rendit, Forcave Lëvizëse Operacionale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
"Gjatë kësaj periudhe, nga këto struktura janë kontrolluar 17.214 automjete. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë 6937 masa administrative gjobë, si dhe janë bllokuar 325 automjete", thanë burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 150 raste për drejtuesit e automjeteve, nga të cilat 126 për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, 12 raste për përdorim të pijeve alkoolike si dhe 12 raste për shkelje të tjera. Strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do të vazhdojnë kontrollet edhe në ditët në vijim.