Seria B, dyshime trukimi për Galipoli-Groseto
ROMA- Që ishte një ndeshje jo normale, kjo u kuptua menjëherë. Galipoli-Groseto, ndeshja e fundit e kësaj jave në Serinë B italiane, e zhvilluar të hënën në darkë, ka përfunduar nën hetim si e trukuar nga ana e organeve të drejtësisë sportive në Itali. Kjo ndeshje nisi me 40 sekonda vonesë pasi futbollistët vendas donin të protestonin ndaj presidentit D’Odorico, që nuk i paguan prej 4 muajsh. Por, shumat e vëna nëpër baste kanë qenë vërtetë anormale. Sipas informacioneve të mbledhura nga Agiproneës, njerëzit kanë vënë bast mbi rezultatin e saktë dhe rezultatin final, duke vënë menjëherë në lëvizje organizmat e kontrollit të monopolit shtetëror, të cilat njoftuan Ligën dhe Federatën Italiane. Menjëherë është hapur një dosje për këtë çështje. Ndeshja përfundoi 2-2 dhe sipas menaxherëve të kompanive të fatit, shumat e vëna kanë qenë jashtë çdo normaleje, “ndonëse xhiroja e parave nuk na detyroi të mbyllnim pikat”. Kompanitë janë mbrojtur duke ulur koeficientët dhe duke mos lejuar vendosjen e shumave të mëdha. “Shumat e vëna kanë qenë anormale dhe ky është rast që Administrata Autonome e Monopolit të Shtetit të ndërhyjë, duke kërkuar zbardhjen e asaj çfarë ka ndodhur, - ka thënë përgjegjësi i një prej kompanive më të njohura të basteve në Itali. – Bëhet fjalë për një rast sporadik, por shqetësues, pasi ndodh në mes të sezonit”, shtoi ai. E ndërkohë, ndeshja e barazuar 2-2 me Groseton solli dorëheqjen e trajnerit të Galipolit Xhanini. Pasi doli me të kuqe gjatë ndeshjes, ai u fye nga presidenti D’Odorico. “Nuk kthehem më pas, - u shpreh ai të martën. – Te Galipoli situata nuk është e qartë. Më kishin siguruar se brenda 30 janarit do të ishin paguar rrogat e tetorit, por jo të gjithë futbollistët janë kënaqur”. Ndërkohë presidenti u ka kërkuar të gjithëve të kenë pak më shumë durim.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)