E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, takime të rëndësishme me drejtues të lartë të Francës, i pari shqiptar që pritet në Pallatin Elysee

Kryeministri shqiptar nis sot një vizitë pune në Francë me ftesë të Presidentit Francez, Nikolas Sarkozi

TIRANE - Me ftesë të Presidentit francez Nicolas Sarkozi, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, nis sot një vizitë zyrtare në Paris, ku do të ketë fillimisht një takim kokë më kokë me presidentin francez, në Pallatin Elysee.
Ky është takimi i parë i një Kryeministri shqiptar që pritet në Pallatin Elysee.
Gjatë takimit, në epiqendër do të jetë perspektiva e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE, por njëherazi edhe çështja e jetësimit të nismës së Unionit Mesdhetar, një ide e sponsorizuar fort nga kryetari i shtetit francez.
Gjithashtu, për nder të kryeministrit Berisha, është organizuar një Konferencë në Paris nga MEDEF (Mouvement d’Entreprises de France) ku mbi 30 përfaqësues të kompanive dhe grupeve bankare dhe financiare më të rëndësishme të Francës kanë shprehur interes të madh për t’u njohur gjerësisht dhe më nga afër me ecurinë e reformave në Shqipëri, ekonominë shqiptare dhe potencialet e saj.
Në vazhdim të kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë dhe një takim me Ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kushner, i cili do të shtrojë për kryeministrin Berisha dhe një drekë zyrtare.
Ndërkaq, pas vizitës në Francë, kryeministri shqiptar do të presë në Tiranë homologun grek Kostas Karamanlis, i cili do të mbajë një vizitë dyditore me 26-27 prill, para se të niset me 28 për në Pragë, ku do t’i dorëzojë presidencës çeke kërkesën zyrtare të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›