Qeveria e vendosur të zhvillojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë
Kryeministri pret në takim Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Taylor.
Berisha i uroi mirëseardhjen Baroneshës Taylor dhe e falënderoi përzemërsisht atë për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Britania e Madhe i dha Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO, si dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Baronesha Taylor, pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila erdhi si rezultat i arritjeve dhe reformave të suksesshme që u realizuan në Shqipëri, reforma që ndryshuan Shqipërinë, por edhe u vlerësuan jashtëzakonisht nga vendet aleate të NATO-s.
Kreu i qeverisë Berisha e njohu Baroneshën Taylor me reforma dhe arritjet e qeverisë shqiptare, për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, reformat për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. Lufta kundër korrupsionit bëri të mundur rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 23 për qind në vit, ose 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat u përdorën për ndërtimin infrastrukturës në të gjithë vendin, rritjen e rrogave për mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë, rritjen e pensioneve. Treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë tashmë më të ulët se mesatarja e vendeve evropiane.
Shqipëria është tashmë vendi i prokurimeve elektronike, i taksës elektronike, doganave elektronike, ku biznesi regjistrohet brenda 1 ore përmes procedurës “one stop shop” vetëm për 1 euro, vijoi ndër të tjera kryeministri Berisha.
Baronesha Taylor vlerësoi se këto arritje të rëndësishme, në veçanti reforma në fushën e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe krijimi një situate sigurie në vend, padyshim që japin një efekt të madh në nxitjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.
Në takim u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha i bëri me dije Baroneshës se zgjedhjet e qershorit 2009 janë zgjedhjet e para të cilat bazohen në një kuadër ligjor dhe institucional të miratuar me konsensusin më të lartë të arritur ndonjëherë.
Qeveria shqiptare, theksoi kryeministri, po pajis qytetarët me dokumente identifikimi më të sigurtat në Evropë, bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve, si dhe ka krijuar lehtësitë më të mëdha për të gjitha shtresat në nevojë për pajisjen me këto karta. Në këtë kontekst, Berisha kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë sa më shumë vëzhgues për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e garantuar Baroneshën Taylor se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur të organizojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç i meriton një vend anëtarë i NATO-s.