“Edi Rama kërkon një kartë për të justifikuar humbjen në zgjedhje”

Deklaron Astrit Patozi
TIRANE - Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, duke iu referuar dhe bojkotit të opozitës, me pretekstin e kartave të identitetit deklaroi dje në Kuvend se “Partia Socialiste nuk po kërkon kartat e identitetit, por kërkon një kartë për të njollosur paraprakisht procesin dhe për të prishur zgjedhjet e 28 qershorit”.
Referuar faktit se edhe pak ditë kanë mbetur kur Parlamenti të mbyllë punimet për këtë legjislaturë, Patozi u shpreh se “ky parlament po e mbyll mandatin e tij në mënyrën më dinjitoze, si parlamenti i reformave dhe i NATO-s, dhe këtë gjë nuk e cenon aspak qëndrimi qesharak dhe absurd i opozitës”.
Sa i përket deklaratave të opozitës për dhënien falas të kartave të identitetit për qytetarët, Patozi theksoi se “Edi Rama nuk është duke kërkuar kartat e identitetit, por është duke kërkuar një kartë për ta pasur justifikim për humbjen e pritshme në zgjedhjet e 28 qershorit”. Kryetari i Grupit Kuvendor të PD-së, Astrit Patozi solli dhe njëherë në vëmendje përpjekjet e mazhorancës për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti.
“Qeveria ka bërë gjithçka që të pajisë me kartat e identitetit, çdo qytetar që dëshiron të votojë”, tha Patozi. Ndërkohë që sipas tij “Edi Rama i ka bërë thirrje të gjithë socialistëve që të mos shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit”.
Me gjithë qëndrimet e kundërta që kanë shpërfaqur forcë të ndryshme politike, veçanërisht Partia Socialiste, Patozi garantoi se “kjo mazhorancë do t'i arrijë standardet e kërkuara për këto zgjedhje, pavarësisht qëndrimeve jashtë standardit të Edi Ramës”.
Qëndrim sfidues Patozi i ka përcjellë opozitës, duke u shprehur se “Shqipëria do të votojë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe jo atëherë kur t'i dalë frika kryetarit të PS-së, i cili duhet të kuptojë se zgjedhjet nuk fitohen në tavolinë, por fitohen në kutitë e votimit. Politika dhe shkenca ende nuk kanë shpikur ndonjë mënyrë që ta kthejnë politikanin paranojak në një njeri normal”, u shpreh Patozi.
Duke vijuar më tej, Patozi tha se “PS e ka të vështirë të dalë në fushatë dhe të ballafaqohet me qytetarët që prekin dhe njohin nga afër ndryshimin”. Duke lënë të kuptuar faktin se në këtë mënyrë opozita po bojkoton vetveten, Patozi tha se “Në Shqipëri, po ndodh e kundërtat e një normaliteti demokratik, pasi opozita mungon në fushatë, mungon në parlament dhe në debat politik”.
Gjatë fjalës së tij, Patozi nuk ka nguruar të kujtojë nismën e Grupit Parlamentarë të PD-së, duke deklaruar se “Edi Rama ka frikë edhe për komisionin hetimor që do ngrihet sot, por këto nuk duhet të na impresionojnë që të heqim dorë nga zbardhja e të vërtetës për objektin e këtij komisioni. Ajo që po ndodh sot në Bashkinë e Tiranës është etaloni i vizionit të tij për të qeverisur Shqipërinë dhe ne duhet t'ia shpjegojmë këtë shqiptarëve”, tha Patozi.