“Rama, taksa të majme për tabelat dhe hapësira të gjelbra”

Kreu i LSI kërkon rishikimin e dy taksave lokale të Tiranës
Për Metën vendosja e taksave të tilla abuzive nga ana e bashkisë së Tiranës ndikon në mënyrë direkt në rritjen e çmimeve të konsumit të gjerë duke çuar kështu në prag falimentimi dhjetëra biznese.
TIRANE - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është solidarizuar me ankesat
e dhjetëra biznesmenëve në zonën e Shkollës Teknologjike në Tiranë në lidhje
me taksat abuzive që ka vendosur kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për gjelbërimin dhe tabelat kur as sipërmarrësit nuk shohin as të parën as të dytën
përreth tyre. Duke u ndalur në çdo stendë dhe duke bashkëbiseduar nga afër me
shumë prej biznesmenëve, Meta u shpreh se gjatë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve që kemi zhvilluar me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm, është mese e qartë që gjendja e këtyre bizneseve është shumë e vështirë dhe po rëndohet nga dita në ditë,
jo vetëm për shkak të rënies ekonomike dhe fuqisë blerëse, por njëkohësisht dhe për arsye të rritjes së taksave të ndryshme të cilat shpesh duken dhe pa kuptim.
“Ju vetë po e shikoni sot se këtu ka ambiente 5 apo 6 metra katrorë që paguajnë 140 mijë lekë taksë tabele dhe tabelë nuk ka asgjëkund, apo që paguajnë 280 mijë lekë taksë gjelbërimi dhe gjelbërim nuk ka asnjë pëllëmbë. Ndërkohë xhiroja e bizneseve bie çdo ditë, fuqia blerëse bie dhe ndërkohë që shumë prej këtyre biznesmenëve apo tregtarëve nuk arrijnë dot as të dalin pa humbje. Këto janë taksa të cilat duhet të vendosen në një mënyrë më të studiuar në mënyrë që të gjithë të jenë të bindur për taksat që paguajnë, por njëkohësisht të paguajnë për shërbimet që marrin. Ndaj dhe këto shërbime nuk duhet të mungojnë në ambiente të tilla”, u shpreh kreu i LSI.
Duke pasur rastin për të shpalosë disa nga pikat e programit të LSI, Meta premtoi përgjysmim të TVSH për 12 produkte bazë ushqimore, me qëllim që të kontribuohet për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare, të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik.
Në këtë kuadër Lideri i LSI-së theksoi gjithashtu se, LSI-ja është e bindur se duhet të krijohet një klimë tjetër për biznesin, sepse sipas tij, është e domosdoshme të bëhet kjo gjë. Dhe në këtë drejtim Meta ftoi Këshillin Bashkiak të Tiranës që të rishikojë taksat, sidomos taksën për tabelë, sepse nuk ka kuptim që të paguash taksë të tillë ku nuk ka tabelë, sepse nuk është një taksë e vogël, por është 140 mije lekë.