Kriza ekonomike, Italia miraton planin antikrizë, Shqipëria rrit akcizat dhe deficitin buxhetor
Ekonomia shqiptare është cilësuar si një nga dukuritë e vetme, jo vetën më rajon por edhe në botë që në kohën e krizës më të madhe financiare shënoi rritje. Pasi gjithë bota u ngjit në progres pas krizës së madhe, ekonomia shqiptare pranoi se ishte prekur pak
ose aspak nga kriza ekomomike. Edhe tani kur deficit buxhetor arrin në 5. 3 miliardë lekë, inflacioni në periudhën katër mujore shënoi 4.1 për qind, deficiti tregtar u rrit me 14. 1 për qind, ndërsa investimet e biznesit kanë rënë me 64 për qind, ekonomia shqiptare cilësohet si e paprekur nga kriza. Në të njëjtën, kohë akcizat u rritën mesatarisht me 2 për qind dhe çmimet e mallrave të konsumit u rritën me 15 për qind, por të ardhurat për frymë nuk kanë regjistruar asnjë rritje. Qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera financiare deklarojnë një rritje ekonomike nga 3 për qind deri në 1. 4 për qind, ndërsa qytetarëve shqiptarë vetëm ju janë shtrenjtuar faturat. Qeveria deri tani nuk ka marrë asnjë masë për uljen e deficitit buxhetor, uljen e shpenzimeve publike dhe as kompensimin e shtesës së faturave për shtresat në nevojë, pa pranuar në asnjë rast se ekonomia shqiptare në mos është në krizë gjendet në prag të saj. Në të njëjtën kohë, Italia një prej tetë vendeve më të industrializuara në botë, anëtare e zonës euro dhe me standarde jetese dhjetëra herë më të larta se Shqipëria firmosi dje planin e shpëtimit nga kriza.
Vendimi
Qeveria italiane ka akorduar një paketë ndihme financiare për të shpëtuar nga ngërçi ekonominë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave paketa në fjalë ka një vlerë prej 25 miliardë eurosh. Miratimi i paketës erdhi për shkak të frikës në rritje të vendeve të eurozonës për përfshirje nga një krizë e rëndë ekonomike si ajo e Greqisë, për shkak të deficitit të thellë buxhetor. Qeveria e qendrës së djathtë në Itali miratoi natën e së martës një buxhet emergjence, që synon të reduktojë deficitin me 24 miliard euro në dy vitet e ardhshme, me anë të masave që përfshijnë ngrirjen e menjëhershme të pagave në sektorin publik, në një përpjekje për të rritur besimin e tregjeve në aftësitë e Romës zyrtare për të qëndruar besueshëm prapa nivelit më të lartë të borxhit publik të një vendi të Evropës.
Masat
Liderët e qeverive rajonale dhe lokale, të cilët përballen me shkurtime fondesh në vitin 2011 dhe 2012 në masën 13 miliard euro, protestuan, duke deklaruar se shërbimet themelore, përfshi ato të shëndetësisë, do të ndikoheshin nga masa të tilla.Shkurtimet vijnë në një periudhë të vështirë për qeverinë, popullariteti i së cilës është fundosur keq, pas disa skandaleve rresht për korrupsion në vend. Ndër masat e dokumentit të buxhetit, përfshihen ngrirja për gjashtë muaj e pensioneve të reja shtetërore, si dhe vendimi për të parashtruar planin për ti nxjerrë gratë në pension njësoj me burrat, në moshën 65-vjeçare. Rekrutimet për shërbimin civil do të shkurtohen, dhe vetëm një në 5 punonjës të larguar nga puna do të zëvendësohet. Ministrat, zyrtarët e lartë shtetërorë dhe deputetët do të pësojnë një shkurtim me 10 për qind të rrogës. Disa njësi shtetërore, përfshi qendrën e kërkimeve ISAE, do të mbyllen. Rajonet e mëdha, me deficite shumë të larta buxhetore, do të shtrëngohen të rrisin nivelin e taksave mbi biznesin dhe të ardhurat, edhe pse kryeministri Berluskoni e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të ketë rritje taksash. Shkurtimet do të pasohen me një sulm të fortë ndaj evazionit fiskal. Dekreti mbi buxhetin hyn në fuqi pothuaj menjëherë, por duhet miratuar më parë nga parlamenti i vendit.
Paketa
Paketa e shtrëngimit, për të cilën një zyrtar i lartë deklaroi se do të imponojë sakrifica të ashpra, është veprimi më i rreptë i ndërmarrë ndonjëherë, qëkurse Italia e shtrëngoi rripin në fund të viteve 1990 për të hyrë në zonën e euros. Kjo pason shkurtimet tashmë të shpallura nga ana e Greqisë, Irlandës, Portugalisë, Spanjës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Shkurtimet u sulmuan menjëherë nga CGIL, bashkimi më i madh sindikalist i vendit, si dhe nga opozita e qendrës së majtë, si një veprim që synon me pa të drejtë shtresat më pak të paguara mes 3,5 milion punonjësve të sektorit publik, dhe që nuk prek të pasurit.
Shqipëria
1. Inflacioni në periudhën katër mujore 4.1 për qind
2. Deficiti buxhetor arriti në 5. 3 miliardë lekë
3. Deficiti tregtar u rrit me 14. 1 për qind
4. Investimet e biznesit kanë rënë me 64 për qind
5. Akcizat u rritën mesatarisht me 2 për qind
6. Çmimet e mallrave të konsumit u rritën me 15 për qind
7. Çmimi i energjisë u rrit me rreth 20 për qind
Italia
1. Ul pagat e deputetëve me 10 për qind
2. Shkurton fondet publike në masën 13 miliard euro
3. Rrit moshën e pensionit në 60 vjeç
4. Një në pesë punonjës shkurtohet nga administrata
5. Ngrin për 6 muaj pensionet shtetërore
6. Redukton deficitin me 24 miliard euro
Ornela Manjani