E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi zgjedh Shpresa Beçajn si kryetare të Gjykatës së Lartë

Rokada e ndryshimeve të krerëve të institucioneve të larta kushtetuese nuk sjell vetëm ndryshimin e emrave, por edhe të moshës e gjinisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duket se preferon që institucionet më të rëndësishme të drejtësisë t‘ua besojë femrave të cilat nuk e kalojnë moshën 40 vjeçe. Pas Kryeprokurores Ina Rama, është një tjetër grua, pikërisht Shpresa Beçaj, të cilës Presidenti Topi i ka besuar dje postin e kryetares së Gjykatës së Lartë. Dekreti është firmosur nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi menjëherë. Shpresa Beçaj është anëtare e Gjykatës së Lartë nga viti 2004, ndërkohë që kjo gjykatë para pak muajve është riformatuar shtuare dhe gjashtë emra të rinj. Emra të cilët u votuan në Kuvend me shumicë votash pas një "odiseje" të gjatë përplasjesh dhe refuzimesh politike, duke e ndërlikuar mjaft procedurën e zgjedhjes dhe duke e detyruar Presidentin Topi që pas rrëzimit të pesë emrave të parë të mbledhë në presidencë 105 emra të rinj, për të zgjedhur mes tyre gjashtë më të mirët. Në një CV të shkurtër, Shpresa Beçaj ka dhënë disa të dhëna rreth vetes së saj. Ajo ka lindur në Kukës, në vitin 1961, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar k/sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1985 është emëruar këshilltare ligjore po në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987 është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Në vitin 1990 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 1989 ka kryer kursin pas universitar në specialitetin gjyqtar. Në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, kur ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike".

Me dekretin nr.4156, datë 23 mars 2004, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë. Institucioni më i lartë i gjyqësorit, prej disa muajsh ka mbetur vakant, duke paralizuar funksionimin e tij, pasi nuk mund të mblidheshin të gjitha strukturat e tij. Përpara zonjës Beçaj, në krye të Gjykatës së Lartë ka qenë juristi me përvojë, Thimio Kondi. Me emërimin si kryetare e Gjykatës së Lartë, zonja Shpresa Beçaj është automatikisht edhe anëtarja më e re e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›