E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS zyrtarizon kërkesën për mocion me debat

Socialistët zyrtarizuan dje kërkesën për mocion debati me Kryeministrin Sali Berisha. Kryetarja e grupit parlamentar socialist tha se seanca do të kërkohet lidhur me skandalin më të fundit që lidhet me Damir Fazlliç, skandal që sipas saj implikon Kryeministrin dhe qeveritarë të tjerë. Grupi i PS, sqaroi ajo, ka depozituar sot (dje) kërkesën për mocion me debat, duke besuar se Kryeministri dhe Kryesia e Kuvendit do ta marrin parasysh. "Dhe nuk do të sajojnë ‘gabime‘ teknike në miratimin e kërkesës, si ka ndodhur herë të tjera, ku rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit", u shpreh Leskaj. Sipas saj, Kryeministri në seancën e kaluar pranoi publikisht në Parlament se e ka mik Fazlliçin, ndaj është mirë që këto lidhje ‘miqësore‘ t‘i bëjë transparente. Partia më e madhe e së majtës në opozitë mendon se çështja "Fazlliç" është një koktejl eksploziv elementesh që dëmtojnë dhe cenojnë direkt themelet e demokracisë shqiptare. "Përfshirja e Fazlliç në kompaninë BG&R dhe lidhjet me Partinë Demokratike toksikojnë staturën e kësaj partie", theksoi Leskaj. Ajo i mëshoi idesë së infiltrimit të Fazlliç në afera korruptive përmes firmave të tij fantazmë dhe përfshirja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe të afërmve të tyre që çon në kapjen e shtetit. Kryetarja e grupit parlamentar u ndal edhe te lidhjet e Fazlliç me një prej ish-drejtuesve të shërbimeve famëkeqe, përfshirja në afera të trafikimit të armëve, apo pastrimit të parave dhe miqësia e tij me figurat kryesore të qeverisë. "Së fundi, Kryeministri kërcënoi opozitën me dosje mafioze, duke harruar që kjo e implikon më keq atë për krime që i di dhe nuk i denoncon. Ai nuk mund ta mbajë peng politikën shqiptare me presion dosjesh", nënvizoi Leskaj. Ajo vuri në dispozicion të medias dhe publikut të gjitha pyetjet për të cilat kërkohet që kreu i qeverisë të përgjigjet në Parlament, lidhur me marrëdhëniet politike dhe ato të biznesit me Fazlliç. Grupi parlamentar socialist i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë hetimet për çështjen Fazlliç dhe ta shpallë atë person në hetim. D.Malaj

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon nga Kryeministri i vendit që t‘u përgjigjet pyetjeve si vijojnë:

Cila është marrëdhënia e Kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike që ai drejton me kompaninë lobiste BG&R dhe roli i Damir Fazlliç në të?
Cila është marrëveshja mes Partisë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha me kompaninë BG&R për fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005? Cila është vlera financiare e kësaj marrëveshjeje?
Përse nuk është depozituar në KQZ marrëveshja/kontrata mes Partisë Demokratike të Kryeministrit Berisha dhe kompanisë BG&R?
Ǒrol ka pasur pranë Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005 shtetasi boshnjak Damir Fazlliç? A është paguar ai për këtë rol?
Cili është roli i zotit Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Sali Berisha?
Për çfarë ka lobuar në tri vite rresht zoti Fazlliç në shërbim të qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Sali Berisha? Në bazë të kujt ligji është rregulluar dhe ndërtuar kjo marrëdhënie?
Me çfarë statusi dhe sa herë ka qenë në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha zoti Fazlliç dhe cilat janë projektet që ka negociuar? Kush ka qenë përfituesi direkt i këtyre projekteve? Cilat kompani?
Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri kompanitë: "Virtu Acquisitions", e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi, adresa: Rr. "Shinasi Dishnica", Pallati 2/4. Firma: "SRF Developments", e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi, adresa: Rr. "Shinasi Dishnica", Pallati 2/4. Firma: "Crown Acquisitions", e regjistruar më 20 shtator të vitit 2005, administrator: Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007), Rr. "Shinasi Dishnica", Pallati 2/4. Firma: "DF Trade Limited"; firma: "Alpha"; firma: "Rudnap".
Sa tatime e taksa kanë paguar gjatë viteve 2005 - 2006 - 2007 - 2008 këto kompani? A janë në borxh këto kompani ndaj ndonjë institucioni të shtetit shqiptar, veçanërisht organeve të Tatim-Taksave?
Sa punonjës të siguruar kanë këto kompani gjatë këtyre viteve?
Kur janë shitur? Cilat janë procedurat ligjore të shitjes të pranuara nga institucionet në varësi të qeverisë apo institucionet e pavarura të shtetit shqiptar kompanitë: "Virtu Acquisitions", "SRF Developments" dhe "Crown Acquisitions"?
Sa është vlera e tatimeve të paguara për të ardhurat e realizuara nga shitja e pjesshme dhe e plotë e pronësisë së tri kompanive të mësipërme në organet e Tatim-Taksave?
Sa është vlera e tatimeve të paguara veçanërisht për të ardhurat e realizuara nga shitja e kompanisë "Crown Acquisitions"?
Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së tri kompanive të mësipërme pranë agjencive publike në varësi të qeverisë së Kryeministrit Berisha? Veçanërisht kush i ka kryer procedurat ligjore për shitjen e kompanisë "Crown Acquisitions"?
Cilët janë blerësit e tri kompanive të mësipërme? Veçanërisht cilët janë blerësit e kompanisë "Crown Acquisitions"? A e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare veprimtarinë ekonomike e financiare në raport me ligjet, madje në raport dhe me ligjet penalet të këtyre blerësve? Veçanërisht a e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare aktivitetin e kompanisë "Altaria Research" me rezidencë në Qipro?
Me cilat banka janë kryer transaksionet financiare të shit-blerjes së tri kompanive të mësipërme nga shtetasi Damir Fazlliç? Veçanërisht me cilat banka është kryer transaksioni me vlerë 1750000 euro i shitjes së kompanisë "Crown Acquisitions"? A ka qenë ai transaksion i mbështetur në ligjin "Për Sistemin Bankar në Republikën e Shqipërisë", si dhe në ligjin "Për parandalimin dhe pastrimin e parave të pista në Shqipëri"?
A ka të dhëna të regjistruara Agjencia Shtetërore e Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri për tre kompanitë e shitura? Veçanërisht a ka të dhëna agjencia në varësi të qeverisë për kompaninë "Crown Acquisitions"? A ka nisur hetimin kjo agjenci pas fakteve të bëra publike në median vendase për një operacion të mundshëm pastrimi parash nga kompania "Crown Acquisitions"?
A e njeh qeveria e Kryeministrit Berisha veprimtarinë në Shqipëri të kompanisë "Rudnap"? Po veprimtarinë e saj në Serbi? A i njeh Sali Berisha personalisht pronarët legalë dhe ilegalë të kompanisë "Rudnap"? Sa tendera ka fituar në Shqipëri kompania "Rudnap" gjatë viteve 2005 - 2006 - 2007 - 2008? Në cilën fushë dhe të kujt vlerave janë këto përfitime? Cila ka qenë procedura e fitimit të këtyre tenderave nga kompania "Rudnap"?
A ka pasur kompania "Rudnap" apo filiale të saj marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›