E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS: Ta prishim Kushtetutën

Kur bëhet fjalë për të prekur Kushtetutën e vendit për interesa politike, dy partitë e mëdha janë gjithmonë të gatshme që të japin konsensusin midis tyre për ta realizuar sa më shpejt një gjë të tillë. Kjo ka ndodhur sërish dje në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, ku mazhoranca dhe opozita ranë dakord të ndërhyjnë në Kushtetutë për të zgjidhur çështjen e imunitetit të deputetëve. Në përfundim të mbledhjes, Këshilli i Legjislacionit ka konstatuar se nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë dhënë rezultatin e dëshiruar, megjithëse Kuvendi, në mënyrë të qartë, ka shprehur vullnetin për kufizimin e imunitetit. Këshilli për Legjislacionin mendon se ky vullnet duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t‘u përgjigjen standardeve evropiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve. Ky qëndrim do t‘u përcillet të gjitha grupeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që amendamentet kushtetuese të mbështeten nga të gjitha grupet parlamentare. Gjithashtu, Këshilli për Legjislacionin ka vendosur t‘i kërkojë dy anëtarëve të tij, Ylli Bufi dhe Ilir Rusmali, që të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Këto amendamente më pas do t‘u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës. Këshilli për Legjislacionin ka shprehur besimin se me vullnetin e përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare, kjo sfidë do të përfundojë me sukses.

Precedenti

Ndryshimi i Kushtetutës nuk është më një ngjarje e re për shqiptarët. Të gjithë janë dëshmitarë sesa herë e kanë parë të arsyeshme partitë politike, për të mos prishur punët dhe interesat e tyre politike, janë ulur në një tryezë të përbashkët, ku kanë rënë dakord për të ndryshuar librin themeltar të shtetit pa pyetur asnjë grup interesi. Para pak muajve, PD-ja dhe PS-ja, me konsensus arritën të ndryshojnë gati dhjetë nene të Kushtetutës, duke ndryshuar kompetencat e Presidentit, të Kryeministrit dhe kufizimin e imunitetit të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe shkrinë KQZ-në, e cila nuk ekziston më si organ kushtetues.

Juristët

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, juristët shprehen se nuk

është veprim i matur prekja e librit themeltar të shtetit sa herë e shikojnë të arsyeshme partitë politike. Sipas tyre, ka ardhur koha që deputetët të ulen njëherë e mirë së bashku me juristët e grupet e interesit dhe të diskutojnë se ku duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe pse. Kjo pasi ndryshimi i saj çdo gjashtë muaj ka humbur besueshmërinë dhe respektin për të. Nëse do të ndryshohet Kushtetuta pikërisht tani, sipas juristëve është e mira që gjërat të shikohen më në detaje dhe deputetët të saktësojnë në të edhe mënyrën e votimit të emigrantëve shqiptarë, pasi aktualisht një procedurë e tillë nuk është saktësuar me ligj. Kjo është një kërkesë që po bëhet shpesh nga LSI-ja dhe G99, ndërkohë që dy partitë politike janë shprehur se për realizimin e saj, pra që emigrantët të marrin pjesë në votime, duke hedhur votat e tyre nga vendet ku banojnë, duhet të ndryshojë Kushtetuta. Meqenëse palët tashmë janë dakord që ta prekin Kushtetutën, le të ulen dhe t‘i bëjnë njëherë e mirë të gjitha ndryshimet për të mos e bërë "themelin e shtetit" një paçavure tek e cila nuk ka mbetur më asnjë fije dinjiteti.

Nenet e ndryshuara të Kushtetutës

Neni 1

Neni 64 ndryshohet si më poshtë:

Neni 64

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Neni 2

Neni 65 ndryshohet si më poshtë:

Neni 65

1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.

2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Neni 3

Neni 67 ndryshohet si më poshtë:

Neni 67

1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

Neni 4

Neni 68 ndryshohet si më poshtë:

Neni 68

1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.

Neni 5

Neni 87 ndryshohet si më poshtë:

Neni 87

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.

Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 6

Në nenin 88 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

b) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1 me këtë përmbajtje:

2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Neni 7

Neni 104 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 104

1. Kryeministri ka të drejtë t‘i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.

2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.

Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.

3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.

Neni 8

Neni 105 ndryshohet si më poshtë:

Neni 105

1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.

2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm, duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.

3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.

Neni 9

Në nenin 149 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.

b) Pika 4 ndryshohet si më poshtë:

4. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit.

Neni 10

Pjesa e Dymbëdhjetë e Kushtetutës "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve" shfuqizohet.

Neni 11

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›