Berisha takon Fillon: Integrimi, objektivi ynë madhor

Kryeministri Berisha, në ditën e fundit të vizitës së tij në Francë, është takuar me homologun e tij francez Francois Fillon. Gjatë takimit, kryeministri Berisha e ka njohur homologun e tij me zhvillimet politike në vend ndërsa ka theksuar se pas dy vjetësh bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit tashmë situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu homologun francez me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, si dhe programin e investimeve që ajo ka ndërmarre me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e vendit. Ai e siguroi Kryeministrin Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim.
Gjatë takimit, kryeministri francez Fillon i cilësoi marrëdhëniet politike mes të dy vendeve si shumë të mira ndërsa shprehu interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh.Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tiranë, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime apo ku Franca mund të ofroje ekspertizë dhe asistencë.
Në takim u bisedua edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe atë në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se ruajtja e kufijve aktualë dhe fokusimi tek integrimi europian janë vitale për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.