E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon Gruevskin, gati projekti për hekurudhat

 

Shqipëria dhe Maqedonia do të kenë një rrjet të përbashkët hekurudhor vitin e ardhshëm. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha pas një takimi në Maqedoni me homologun e tij, Nikola Gruevski. Në përfundim të këtij takimi kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se “një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim është se të dyja qeveritë do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. Qeveria maqedonase është marrë me përcaktimin e trasesë dhe shpronësimet, ndërsa Shqipëria ka tre-katër kilometra të mbetura dhe ne do përpiqemi që brenda vitit 2009 ta kompletojmë detyrimin tonë”. Në takim u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe u diskutua rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Sipas njoftimit për shtyp “Gjatë takimit, të dyja palët shprehën interesin e tyre për një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat, në luftën kundër kriminalitetit, përgatitjen e një kuadri të ri ligjor, për një marrëveshje të re për menaxhimin e ujërave të përbashkëta, mbrojtjen e tyre, kontrollin e integruar të kufijve, pikat e reja doganore etj...”. Kryeministri Berisha, duke shfrytëzuar këtë takim, i shprehu Kryeministrit Gruevski falënderimet për ceremoninë, që organizohet sot në kryeqytetin e Maqedonisë, për një nga ngjarjet më të mëdha e më rrezatuese në historinë e kombit shqiptar, 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe alfabetit shqiptar. Gjatë qëndrimit në Shkup, kreu i qeverisë shqiptare u takua edhe me liderët e dy partive kryesore shqiptare në Maqedoni, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të Partisë Demokratike, Menduh Thaçi. Në takimin me Ahmetin, Berisha diskutoi zhvillimet në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Kreu i ekzekutivit vlerësoi zhvillimet në kuadër të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, si një dokument tepër i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Berisha u takua edhe me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi me të cilin u ndalën edhe në zgjedhjet e ardhshme, që do të zhvillohen në të dy vendet, zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe ato presidenciale dhe për pushtetin lokal në Maqedoni, duke theksuar se mbeten të zotuar për të bërë çdo përpjekje për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, duke nderuar kështu aspiratat dhe idealet e qytetarëve të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›