E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Kryeziut, hetohet kthimi ilegalisht në Kosovë

 

Dashamir Biçaku

Ismet Kryeziu, i zhdukur prej një jave në Tiranë, dyshohet se ka kaluar në rrugë ilegale kufirin nga Shqipëria në drejtim të Kosovës. Kjo është pista më e fundit në të cilën është duke hetuar policia e Tiranës lidhur me zhdukjen e papritur një javë më parë të Ismet Kryeziut, i njohur si një nga ish-eksponentët dhe aktivistët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje, ai është edhe një nga personat që ka pasur njohje të afërt me Remzi Hoxhën të zhdukur në Shqipëri në vitin 1995. Largimi i tij në drejtim të Kosovës në rrugë ilegale, si pistë e hetimit të ngjarjes, është pohuar për gazetën “Panorama” nga burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Sipas të njëjtit burim, Kryeziu mendohet të ketë shfrytëzuar kufirin e gjelbërt në veri të vendit mes shtetit amë Shqipërisë dhe Kosovës, për të mbërritur ndoshta në Prishtinë. Ende nuk dihet saktësisht shkaku përse mund të jetë bërë një lëvizje e tillë nga Ismet Kryeziu, ndërsa policia po bën verifikime në këtë drejtim. Një nga pistat e hetimit është ajo e një tentative të tij për t’iu shmangur personave, të cilëve, sipas policisë, i zhdukuri u kishte disa borxhe. Burime të policisë pohojnë se paratë janë marrë me qëllim për të kryer një ndërmjetësim, ende të panjohur për qëllimin dhe protagonistët. Gjithsesi familja dhe të afërmit e Ismet Kryeziut, madje vetë bashkëshortja e tij, Anila Leli, kanë hedhur poshtë mundësinë që Ismeti të kishte detyrime në para te persona të tjerë. Madje, ata kanë hedhur poshtë në mënyrë kategorike mundësinë që ai t’u ketë marrë para borxh të tretëve. Kjo ka bërë që policia të hetonte në drejtim të personave që kishin kontaktuar me të për herë të fundit, me shpresën që të gjente një person të cilin ta kishte parë apo komunikuar me të, pas largimit nga familja. Adem Shehu, Dilaver Goxhaj dhe djali i tij, Dritan Goxhaj, kanë mohuar kategorikisht përpara hetuesve të kishin marrë kontakt me personin e njohur si ish-eksponentin e UÇK-së. Dilaver e Dritan Goxhaj janë shprehur se kishin lënë takim me Ismet Kryeziun, të zhdukurin që humbi gjurmët prej të shtunës së javës që shkoi. Policia mori në konsideratë mundësinë e një rrëmbimi, por sipas hetuesve, për një ngjarje të tillë nuk janë gjetur prova bindëse. Pritet që gjatë ditës së nesërme, hetuesit të marrin në duar tabulatet telefonike, të shërbyera nga kompanitë e telefonisë së lëvizshme, me qëllim identifikimin e hartës së lëvizjeve të 54-vjeçarit. Ismet Kryeziu, i njohur në Shqipëri si një ndër miqtë e Remzi Hoxhës dhe aktivist i lëvizjes për çlirimin e Kosovës, u denoncua i zhdukur të dielën e shkuar nga bashkëshortja e tij, Anila Kryeziu. Ajo tha se bashkëshorti ishte larguar nga banesa e vjehrrit prej të shtunës në mbrëmje për të takuar disa miq, por nuk ishte kthyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›