Bursat, një fuçi naftë kuotohet me 50 USD
Në tregjet ndërkombëtare çmimi i arit të zi ka pasur rënie të ndjeshme. Një fuçi nafte në tregjet ndërkombëtare është shitur me 50 dollarë. Ulja e çmimit është drastike krahasuar me muajin korrik, kur çmimi i arit të zi arriti kulmin, ku një fuçi naftë u shit me 147 dollarë. Por në tregun vendas kjo rënie e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare nuk ka pasur ndonjë reflektim të ndjeshëm. Në pikat e tregtimit të karburanteve një litër naftë u shit mesatarisht me 125 lekë, ndërsa një litër benzinë me 130 lekë. Sipas tregtarëve të karburanteve dy janë faktorët kryesorë që ndikojnë në vendosjen e çmimit. Faktori i parë ka të bëjë me taksat, ndërsa i dyti me çmimin e arit të zi në bursa. Por edhe pse çmimi në bursa është ulur ndjeshëm, tregtarët vendas kanë vendosur që ulja e çmimit të karburanteve të jetë e vogël.