Vendi në errësirë, shkak remontet dhe moti i keq
FABIOLA ÇELA
Prej disa ditësh në disa zona të kryeqytetit energjia elektrike mungon për orë të tëra, por ditën e djeshme ndërprerjet e energjisë ishin edhe më të theksuara, në disa zona periferike të tij.Në një deklaratë për mediat, drejtori i tensionit të lartë të Tiranës Admirim Lakra, ka shpjeguar shkaqet e mungesës së energjisë elektrike. Sipas tij, mungesa e energjisë në disa zona të Tiranës ka ardhur si pasojë e punimeve në nënstacionet elektrike dhe linjat e tensionit të lartë. “Nuk ka asnjë lloj kufizimi dhe asnjë lloj kuote për shpërndarjen e energjisë elektrike. E theksoj se të gjitha stakimet, që janë bërë ditët e mëparshme, duke përjashtuar ditën e djeshme që është bërë për shkak të avarive, stakimet e mëparshme janë njoftuar në media dhe janë pjesë e remonteve të planifikuara”, ka thënë ai. Deri ditën e djeshme OST ka punuar në linjën 110 kv Tiranë-Uzina traktori dhe për pasojë nuk kanë pasur energji nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 16 e 30 disa zona të kryeqytetit. Dje ishte dita e fundit e punimeve, të cilat kishin nisur që ditën e martë. Por ditën e djeshme situata u agravua si pasojë e motit të keq. Sipas drejtorit Lakra, si pasojë e motit të keq ka pasur probleme në disa filtra ajrorë. “Nga moti i keq situata e furnizimit me energji elektrike ditën e sotme është me avari të shumta. Aktualisht, kemi avari në stacionin e Ibës, në linjën e lartë Shkozet-Shijak-Vorë si dhe avari në të gjithë filtrat ajrorë, që furnizojnë fshatin dhe periferinë e Tiranës. E njëjta gjë paraqitet edhe në rajonin e Durrësit, në filtrat ajrorë të fshatit dhe periferisë, një gjendje e tillë mbizotëron edhe në pjesën veriore dhe jugore të vendit” është shprehur drejtori i tensionit të lartë Admirim Lakra. Ai ka theksuar se “po punohet për riparimin e këtyre avarive, mundësisht brenda ditës”.
OSSH
Drejtues të lartë të qeverisë kanë premtuar se këtë dimër nuk do të ketë grafik kufizimesh. Çka do të thotë se nuk do të ketë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, por vetëm në rastet kur ka punime dhe avari. Aktualisht, qeveria ka miratuar kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë (OSSH). Pronarët e rinj të kësaj kompanie janë çekët e “CEZ”. Me privatizimin e OSSH-së pritet të përmirësohet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji të konsumatorëve. Përveç kësaj, blerësit e OSSH-së pritet të përmirësojnë edhe dy treguesit kryesore, që janë ulja e nivelit të humbjeve të energjisë dhe rritja e nivelit të arkëtimeve.
Zonat në Tiranë ku nuk ka pasur energji
• Ali Demi
• Porcelani
• Rruga “Bardhyl”
• Rruga e Elbasanit
• Ministria e Shëndetësisë
• Qyteti Studenti
• Farka
• Ura e Tabakëve