Berisha takon Haradinaj: PS erdhi në pushtet me premtime të parealizueshme
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha priti në një takim kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Gjatë këtij takimi, Haradinaj, u shpreh se kishte ndjekur me shumë interes zhvillimet politike në Shqipëri ndërsa shprehu kënaqësinë për partneritetin që AAK ka me Partinë Demokratike në Shqipëri. Nga ana e tij, kryeministri Berisha theksoi se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë në kuadrin e integrimeve euro – atlantike lidhen vetëm me Partinë Demokratike. Duke u ndalur tek zgjedhjet, Berisha theksoi se Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme, prej të cilave që tani PS po tërhiqet. Gjatë bisedës, u diskutua edhe për procesin e zbatimit të marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, ku u theksua rëndësia themelore e zbatimit të tyre për konsolidimin jo vetëm të Kosovës por dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Gjithashtu bashkëbiseduesit trajtuan tema të interesit të bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë, energjetikës, infrastrukturës etj. Në këtë aspekt, Haradinaj tregoi interes të posaçëm në lidhje me projektin TAP dhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga ky projekt energjetik madhor trans-europian. Kryeministri Berisha u shpreh se projekti TAP ka një rëndësi strategjike për sigurinë energjetike jo vetëm të Europës, por edhe të rajonit dhe siguroi se Kosova do të përfitojë në këtë kuadër.