Forumi Politik Ballkanik i akordon çmim Servet Pëllumbit
Forumi Politik Ballkanik i ka akorduar çmimin më të lartë të tij profesor Servet Pëllumbit. Në këtë veprimtari merrnin pjesë përfaqësuesit kryesorë të Bordit Akademik të këtij instituti, Nora Malaj, Apollon Baçe, Servet Pëllumbi dhe drejtori Ekzekutiv i tij, Lekë Sokoli, përfaqësues të Forumit Ballkanik me qendër në Selanik të Greqisë etj. Ceremonia ishte edhe më emocionuese sepse organizohej pikërisht në ditën e lindjes së prof. Pëllumbit. Veprimtarinë e drejtoi Nora Malaj, ndërsa dr. Lekë Sokoli paraqiti vlerat e veprimtarisë së Pëllumbit, në rrafshin shkencor dhe të kërkimit sociologjik, por edhe vlerat e padyshimta njerëzore dhe me skrupuj të rreptë në politikë të tij gjatë gjithë periudhës së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Të pranishmit dëgjuan me shumë vëmendje vlerësimet e larta që u dhanë nga përfaqësuesit e Forumit Ballkanik për veprimtarinë e dobishme dhe me vlera të padyshimta të prof. Servet Pëllumbit.
17 Dhjetor 2008