E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon John McCain, diskutohet per Kosoven

Gjate takimit me Mccain

Uashington, 5 Shkurt, 12:55, NOA - Gjatë takimeve të ditës së dytë të qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Senatorin e njohur John McCain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Kryeministri Berisha e falënderoi Senatorin McCain për pritjen e rezervuar, si dhe për gjithë përpjekjet dhe kontributin në dobi të çështjes shqiptare.

Më pas, Kryeministri Berisha e njohu McCain me procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe me reformat e qeverisë që ndikuan në përshpejtimin e këtij procesi.

Pas pasqyrës së zgjeruar të bërë nga Berisha për luftën ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës dhe i sigurt për investimet e huaja, Senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare dhe reformat e qeverisë si shumë mbresëlënëse.

Më tej, McCain u interesua për rrugët dhe mënyrat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar rolin e palëkundur të Shqipërisë në kuadër të partneritetit dhe aleancës me SHBA-të.

Biseda u përqendrua edhe në çështjen e Kosovës. Senatori McCain është një mbrojtjes dhe luftëtar i kësaj çështjeje.

Kryeministri Berisha dhe Senatori McCain ndanë pikëpamje të njëjta edhe për sa i përket të ardhmes së zgjerimit të aleancës së NATO-s, misionit në Afganistan, etj..

Në përfundim të takimit, McCain, duke vlerësuar punën e Kryeministrit Berisha, shprehu bindjen se në të ardhmen marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të jenë më të afërta. 

Senatori McCain është një nga anëtarët më aktivë të Kongresit amerikan në mbrojtje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›