E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundërshton punësimin e 1618 punonjësve nga ana e qeverisë

MTTPP i shtohen 800 punonjës me qëllime të pastra militante,  vendimi në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese 
Deputeti i PS, Blendi Klosi në emër të grupit kuvendor të PS ka kërkuar dje në një deklaratë për shtyp të rikthehet për shqyrtim vendimi i qeverise për punësimin e 1618 militantëve, punonjësve me kontratë të përkohshme në administratë. Sipas Klosit,vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i jep mundësi 12 institucioneve kryesore në vend të rrisin organikën e tyre me punonjës shtesë.

Deputeti Klosi deklaroi se ky vendim  i fundit i Qeverisë, i cili kërkon në mënyrë abuzive që administratës së Ministrisë  së Punëve Publike ti shtohen 800 punonjës për procesin e Legalizimeve, bie në kundërshti të plotë me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, ndryshimet në Ligjin për Legalizimet, duke i vënë fre kështu marrjes së kompetencave të Pushtetit Vendor për procesin e Legalizimeve. Ky numër punonjësish do të duhej të administrohej nga pushteti vendor që të kishim përshpejtim të procesit të legalizimeve. Ky vendim në mënyrë të habitshme, vijon Klosi, i shton disa ministrive dhe buxhetit të taksapaguesve një numër të konsiderueshëm, mbi 300 punonjës shërbimi,  nga të cilët në mënyrë shumë qesharake 59 pastruese shtesë në Ministrinë e Bujqësisë, apo 57 pastruese shtesë në Ministrinë e Punës. Ky vendim i qeverisë "në dietë" të Sali Berishës kërkon, që në kundërshti të plotë me atë çka thotë për shkurtime administrative, të paguajë jashtë Ligjit të Buxhetit për Vitin 2009 plot 1600 punonjës shtesë , të cilët në shumicën e tyre do të jenë punonjës për të rritur shërbimet dhe koston administrative,- u shpreh Klosi. Në këto kushte, shpjegon deputeti socialist, Klosi, kur ky vendim bie në kundërshti të plotë me Ligjin e Buxhetit të vitit 2009, kur nuk merr parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrjes së  kompetencave nga pushteti vendor, kur është kundër filozofisë së shkurtimeve administrative, por dhe më e rëndësishmja kur hartohet me prapaskena të theksuara politike për të punësuar vetëm militantë partiak, grupi parlamentar i PS kërkon me urgjencë, që ky vendim të kthehet e të ripunohet nga Këshilli i Ministrave.Ky vendim i miratuar në nisje të fushatës elektorale, vetëm 145 ditë nga dita e votimit, për ne është shumë shqetësues pasi i jep qeverisë së Sali Berishës, mundësinë të punësoj me qëllime të pastra militante, jashtë çdo kriteri të ligjit të shërbimit civil 1600 militantë të partisë në Pushtet,- përfundon Klosi. Vendimi për  përcaktimin  e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009, në disa ministri dhe institucione qendrore caktoi që numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore të jetë 1618 punonjës, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në pikën 3  të  vendimit  nr.1 703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale të përkohshme, për ministritë dhe institucionet buxhetore", thuhet se nuk do të zbatohet, përjashtimisht, vetëm për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Gjithashtu në vendim thuhet se ngarkohet Ministria e Financave të miratojë përcaktimin me hollësi të numrit të punonjësve, sipas lidhjes nr.1, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, sipas profesioneve dhe me afate kohore, brenda kritereve të vendimit, të përmendur në pikën e mësipërme. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Email This Klikime: 30

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›