Berisha takon Koordinatoren e OKB në Tiranë
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Koordinatoren e Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Znj. Gulden, Turkoz Cosslet, ku u diskutua mbi ecurinë e Programit “Një OKB”, në të cilin Shqipëria u përzgjodh një nga 8 vendet pilote, në janar të vitit 2007. Kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e këtij programi dhe përmendi disa nga arritjet në fusha të rëndësishme si, ngritja e sistemit të Teknologjisë dhe Informacionit, projekti Brain Gain, mbështetja e sektorit të Arsimit dhe informatizimit të shkollave, si dhe për projektet e Zhvillimit Rajonal, Ekonomik dhe nxitjes së punësimit. Znj. Gulden i shprehu Kryeministrit falënderimet për angazhimin e tij personal dhe të qeverisë së tij, në zbatimin e suksesshëm të programit, si dhe theksoi se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin prioritetet e Qeverisë dhe reformat për integrimin evropian të vendit.